Autoritetet holandeze thanë të martën se kanë kërkuar nga Izraeli që ta qartësojë statusin e ministrit të Jashtëm palestinez, Riyad al-Maliki, pasi leja e tij për udhëtim u tërhoq pas vizitës që ia bëri Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Një zyrtar palestinez tha të dielën se kartela VIP e ministrit Riyad al-Maliki, dokument i lëshuar nga Izraeli për t’ia lejuar lëvizjen e lirë zyrtarit palestinez nëpër pikat kufitare, është konfiskuar.
Qeveria e Izraelit ka refuzuar që ta komentojë këtë çështje, shkruan Reuters.
“E kemi ngritur çështjen me Ambasadën e Izraelit dhe e kemi informuar se, si vend pritës, Holanda është shumë e vendosur në faktin që GjND-ja të mund ta kryejë punën e saj pa ndërkyrje”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës.
Prokurorja e GjND-së, Fatou Bensouda, njoftoi këtë muaj se do t’i hetojë krimet e luftës në territoret palestineze pasi gjykata vendosi se ka juridiksion për këtë rast.
Izraeli, që nuk e njeh juridiksionin e GjND-së, dhe Shtetet e Bashkuara, që nuk e kanë ratifikuar statutin e saj, janë deklaruar kundër hetimeve të paralajmëruara rreth krimeve të mundshme të luftës në territoret palestineze.
Madje, gjatë administratës së ish-presidentit Trump, Shtetet e Bashkuara kishin vendosur sanksione financiare kundër prokurores së GjND-së dhe ekipit të saj.