Policia izraelite ka dëbuar një familje palestineze dhe ia ka rrënuar shtëpinë në lagjen Sheikh Jarrah në Jerusalemin Lindor.
Policët e bastisën shtëpinë e familjes Salhiya para agimit, duke arrestuar disa persona para se të fillonte rrënimi i shtëpisë me buldozer, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.
Mes familjes dhe zyrtarëve pati një mosmarrëveshje dyditore. Kryefamiljari kishte thënë se më parë do ta hidhte në ajër shtëpinë sesa që do të largohej.
Zyrtarët izraelitë thonë se ndërtesa ishte e paligjshme dhe se toka ku ndodhej ajo nevojitet për ndërtimin e një shkolle. Familja e ka mohuar këtë pretendim.
Ky rast ka marrë vëmendje ndërkombëtare. Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë paralajmëruar se dëbimet në territorin e okupuar janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe i nxisin tensionet në terren në Jerusalem.
Komuna e Jerusalemit tha se shtëpia e familjes palestineze është ndërtuar në mënyrë të paligjshme viteve të fundit në tokën e caktuar për një shkollë për fëmijët palestinezë me nevoja të veçanta.
“Evakuimi i zonës është miratuar nga të gjitha gjykatat, përfshirë Gjykatën e Qarkut në Jerusalem”, thuhet në deklaratën e përbashkët të policisë izraelite dhe autoriteteve lokale.