Ministria e Mbrotjes së Izraelit ka kundërshtuar thirrjet për hetim mbi vrasjen e 15 palestinezëve, gjatë protestës në kufirin në mes të Izraelit dhe Rripit të Gazës.
Grupi Hamas ka thënë se pesë pjesëtarë të saj janë vrarë. Izraeli thotë se tëtë nga 15 viktimat i përkasin Hamasit, një grup që konsiderohet terrorist nga Izraeli dhe Perëndimi.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka bërë thirrje për hetim të pavarur lidhur me protestën e përgjakshme të së premtes.
Të njëjtën thirrje e ka bërë edhe shefja për Politikë të Jashmte dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini dhe organizata Amnesty International.
Dhjetëra mijëra palestinezë protestuan të premten afër kufirit, duke kërkuar që refugjatët palestinezë të mund të kthehen në territorin që tashmë i takon Izraelit.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se 1.3 milion nga popullsia 2 milionëshe e Palestinës janë refugjatë.