Izraeli marrëveshje me Palestinën: Ua japim 1 milion doza, na i ktheni më vonë

Prishtinë | 18 Qer 2021 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët izraelitë thanë të premten se Izraeli do t’ia japë së paku një milion vaksina për Covid-19 Autoritetit Palestinez si pjesë e marrëveshjes për shkëmbimin e dozave. Ky veprim pritet ta fuqizojë fushatën e vaksinimit në Gaza dhe në Bregun Perëndimor.

Sipas kushteve të marrëveshjes, të sjellë nga zyra e kryeministrit të ri izraelit, Naftali Bennett, Autoriteti Palestinez është pajtuar që t’ia japë Izraelit numrin e njëjtë të vaksinave, kur të furnizohet me to më vonë këtë vit.

“Izraeli do t’ia transferojë Autoritetit Palestinez 1 deri në 1.4 milion doza të vaksinës së Pfizer-it. Dozave që do të dërgohen u skadon afati së shpejti dhe ato u miratuan duke e marrë parasysh faktin se rezervat e vaksinave në Izrael i përmbushin nevojat sot”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Një burim në Ministrinë e Shëndetësisë së Autoritetit Palestinez e konfirmoi marrëveshjen dhe tha se palestinezët presin që këto vaksina t’i marrin në gusht ose shtator, shkruan Reuters,

Izraeli, që ka qenë shembull në tërë botën për vaksinimin e shpejtë të popullsisë, është përballur me kritika që nuk ka bërë më shumë që edhe palestinezët të kenë qasje në vaksina.

Rreth 55 për qind e izraelitëve që i plotësojnë kushtet për vaksinim tashmë i kanë marrë të dy dozat. Sipas zyrtarëve palestinezë, vetëm 30 për qind e palestinezëve që i plotësojnë kushtet për vaksinim e kanë marrë së paku dozën e parë.

Të ngjashme