Izraeli thotë se planifikon të bëhet shteti i parë që do ta japë dozën e katërt të vaksinës kundër Covid-19 në kohën kur vendi po përgatitet për një valë të re infeksionesh, të shkaktuar nga varianti Omicron.
Ekspertët e pandemisë në Izrael e kanë rekomanduar dozën e katërt për punëtorët shëndetësorë dhe personat mbi moshën 60-vjeçare. Kryeministri Naftali Bennett e mirëpriti planin dhe u tha zyrtarëve që të përgatiten.
Izraeli të martën e konfirmoi vdekjen e parë nga varianti Omicron. Ministria e Shëndetësisë ka thënë se janë të paktën 340 raste të njohura të këtij varianti në vend, shkruan BBC.
Vendimi për dhënien e dozës së katërt është ende në pritje të miratimit nga zyrtarët e lartë shëndetësorë. Megjithatë, zyra e Kryeministrit Bennett i tha BBC-së se po shpreson që ta ofrojë dozën e katërt të paktën katër muaj pas marrjes së dozës së tretë.
Në fillim të vaksinimit, procesi ishte zhvilluar shpejt dhe një pjesë e madhe e popullsisë ishte vaksinuar. Megjithatë, vetëm rreth 63 për qind e popullsisë i ka marrë dy doza të vaksinës.
Izraeli i ka ndaluar udhëtimet nga disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Italinë dhe Kanadanë, në përpjekje për ta luftuar përhapjen e virusit.