Gjashtë anëtarëve të parlamentit kanadezë, së bashku me një delegacion prej 24 personash të tjerë, u është mohuar hyrja nga Izraeli në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa përpiqeshin të kalonin kufirin nga Jordania, ka raportuar BBC.
Grupi po përpiqej të hynte si pjesë e një udhëtimi në Izrael dhe Bregun Perëndimor të sponsorizuar nga organizata jofitimprurëse The Canadian-Muslim Vote (TCMV).
Ambasadori izraelit në Kanada tha se grupit i ishte mohuar hyrja sepse TCMV kishte lidhje me Islamic Relief Worldwide, një organizatë joqeveritare e shpallur nga Izraeli si grup terrorist.
Islamic Relief Worldwide dhe dega e saj kanadeze e mohojnë fuqimisht këtë karakterizim. TCMV gjithashtu kundërshtoi, duke thënë se financimi i saj vinte vetëm nga donatorë të kualifikuar.
Trupi ushtarak izraelit Cogat, i cili mbikëqyr pikën kufitare Allenby, i tha CBC News se grupit prej 30 personash i ishte mohuar hyrja të martën “për arsye sigurie”, pasi ata mbërritën në pikën kufitare Allenby “pa koordinim paraprak”.
Mohimi u përshkrua si “thellësisht shqetësues” nga Këshilli Kombëtar i Myslimanëve Kanadezë (NCCM), i cili tha se anëtarët e stafit të tij dhe udhëheqësit e komunitetit ishin në delegacion së bashku me deputetët.
Pesë nga gjashtë deputetët që iu mohua hyrja ishin nga Partia Liberale në pushtet. Ata ishin Fares Al Soud, Iqra Khalid, Aslam Rana, Gurbux Saini dhe Sameer Zuberi.
Deputetja e gjashtë ishte Jenny Kwan, nga Partia e Re Demokratike e krahut të majtë. Kwan e quajti situatën “krejtësisht të papranueshme” dhe hodhi poshtë sugjerimin se ligjvënësit përbënin një rrezik për sigurinë publike.