Aeroplanët e Izraelit kanë kryer sulme në disa vende në Rripin e Gazës, si kundërpërgjigje ndaj një sulmi me raketë nga territori palestinez, tha Ushtria izraelite.
Ende nuk ka raportime për të plagosur nga këto sulme, raporton AP.
Ndonëse disa grupe militante operojnë në enklavën palestineze, Izraeli mban përgjegjës Lëvizjen Hamas – që kontrollon Gazën – për sulmet me raketa të kryera nga territori i tyre.
Lëvizja Hamas konsiderohet organizatë terroriste nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ushtria izraelite përmes një njoftimi për media tha se aeroplanët luftarakë dhe helikopterët, kanë sulmuar me raketa dy vende ku prodhohet municioni. Po ashtu, është sulmuar infrastrukturë nëntokësore si dhe një kompleks ku trajnohen forcat e Hamasit.
Të shtunën, një raketë e lëshuar nga Gaza goditi qytetin Ashkelon të Izraelit, njoftoi Ushtria izraelite.
Autoritetet izraelite thanë se nga ky sulm me raketë pati dëme materiale, por nuk pati të lënduar në njerëz.