Qindra protestues janë mbledhur të shtunën në mbrëmje në Tel Aviv dhe Jerusalem për të protestuar kundër mënyrës se si qeveria e ka menaxhuar situatën me pandeminë dhe kanë bërë thirrje për dorëheqje të kryeministrit Benjamin Netanyahu për shkak të gjykimit për korrupsion.
Policia njoftoi se i ka arrestuar 13 persona në Tel Aviv për prishje të rendit publik dhe hedhje të objekteve në drejtim të policisë, ndërsa në Jerusalem u arrestuan 15 persona të tjerë gjithashtu për prishje të qetësisë publike dhe për bllokim të rrugëve, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.
Këto protesta janë më të rejat në vargun e kryengritjeve kundër kryeministrit Netanyahu dhe u mbajtën vetëm disa orë para vazhdimit të gjykimit për marrje të ryshfetit dhe shkelje të besimit. Ai vazhdimisht është deklaruar i pafajshëm.
Një gjykatës vendosi që dëgjimi i dëshmive dhe ftimi i dëshmitarëve të bëhet në janar të vitit të ardhshëm, kur do të mbahen nga tri seanca dëgjimore në javë.
Ndërkohë koronavirusi po vazhdon të përhapet në masë të madhe. Të enjten, Izraeli regjistroi rekord prej 1,929 rasteve të koronavirusit, duke e thyer rekordin e shënuar një ditë më parë.
Shtimi i rasteve e ka detyruar qeverinë që të zbatojë masa izolimi gjatë fundjavës, përfshirë mbylljen e muzeve, dyqaneve dhe kopshteve zoologjike.