Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësueses së Posaçme të BE-së i është dashur të anulojë ndihmën financiare prej 7.8 milion euro për Mitrovicën e veriut.
Projektet parashihnin ndërtimin e një qendre kulturore dhe të një ndërtese të re universitare në
Mitrovicën e veriut. Sipas njoftimi të zyrës së BE-së në Kosovë, autoritetet vendore dështuan t’i largojnë ndërtesat e paligjshme ekzistuese dhe të krijojnë qasje në të gjitha punishtet.
Zyra e BE-së/PPBE shpreh keqardhje për anulimin e këtyre projekteve, nga të cilat do të
përfitonin sektori arsimor dhe kulturor në Mitrovicën e veriut. BE-ja i konsideron këta sektorë
si esencialë për përparimin e Kosovës dhe i bën thirrje autoriteteve, duke përfshirë edhe ato në
nivelin lokal, të mos kursejnë asnjë përpjekje për ta bërë prioritet arsimin cilësor.
BE-ja, e cila kontribuon pothuajse me 100 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën në
vit, mbetet e angazhuar të punojë ngushtë me autoritetet për të investuar në arsimin, kulturën,
sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ndërtesa e re e Universitetit të Mitrovicës së veriut, me vlerë mbi 4.5 milionë euro, do të
përbëhej nga një bodrum dhe pesë kate. Ajo do të përfshinte klasat, amfiteatrat, laboratorët,
një teatër të vogël, një bibliotekë, zyra, një restorant dhe një parking nëntokësor.
Përmirësimi i peisazhit ishte pjesë e projektit. Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Mitrovicën e veriut, me vlerë prej 3.3 milionë euro, duhej të shoqërohej me ndërtimin e infrastrukturës përkatëse, duke përfshirë çasjen në rrugë dhe parkingun për vetura, peisazhin e lokacionit dhe ndriçimin e jashtëm, drenazhin e rrugëve dhe të parkingut të makinave, etj.