Për shumicën, është një ëndërr të punojnë në një kompani si Facebook, Google, Amazon ose Apple. Mirëpo, ky proces mund të jetë i ndërlikuar.
Platforma online e karrierës Paysa së fundmi analizoi më shumë se 8,200 lista të vendeve të punës dhe më shumë se 70,000 rezyme për të zbuluar trendet e punësimit të kompanive më të mëdha të teknologjisë. Nga aftësitë më të rëndësishme në kompanitë të cilat rriten më së shpejti dhe në kërkesat arsimore, Paysa zbuloi një shumëllojshmëri informacionesh të dobishme të cilat e bëjnë aplikimin në këto kompani shumë më të lehtë.
Pra nëse jeni të interesuar të punoni në Facebook ose Apple, këtu janë nëntë fakte interesante të cilat duhet t’i dini.
Në vitin 2016, gjiganti Amazon postoi 258,511 vende të punës, pothuajse pesë herë më shumë se Microsoft, e cila kishte 48,037 vitin e kaluar. Një vit më vonë, Amazon ende po rritet, në vitin 2017, Amazon postoi më shumë se 80,000 vende pune në çerekun e parë. Kjo është pothuajse katër herë më shumë se tjera kompani si Microsoft, Oracle, Google ose Facebook.
Kur është fjala tek madhësia e stafit në këto kompani, ato janë të mëdha sa që në themel janë qytetet e tyre të vogla. Amazon punëson afër 341,000 njerëz. Kompania e radhës e cila punëson më së shumti njerëz është Oracle, me 136,263 njerëz dhe Microsoft, me 120,849 njerëz.
Përderisa kemi kompani të cilat punësojnë me mijëra punonjës, ende ka një numër të kompanive me staf më të vogël. Snap Inc. ka një fuqi punëtore prej rreth 2,360 njerëzve, Airbnb ka vetëm 2,368 dhe Twitter 3,860.
Kur është fjala tek industria e teknologjisë, aftësitë më të kërkuara janë në shkenca kompjuterike, infrastruktura, menaxhimi dhe analiza. Shkenca kompjuterike është aftësia të cilën e kërkojnë më së shumti punëdhënësit. Dhe kur është fjala tek kërkesat e kodimit në pozita të punës, gjuhët më të përmendura janë Python, C dhe Java.
Për kompanitë si Airbnb, Twitter dhe Uber, menaxherët punësues në mënyrë tipike kërkojnë kandidatë me gjashtë deri dhjetë vite përvojë. Nëse jeni në anën më të re, shikoni për mundësi në Facebook, i cili në mënyrë tipike punëson punonjës me dy deri pesë vite përvojë. Mirëpo, nëse vetëm sa keni diplomuar, Snap, Apple, Microsoft ose Oracle mund të jenë të interesuara, këto kompani në mënyrë tipike punësojnë njerëz me më pak se dy vite përvojë.
20 vite në punë? Atëherë është e rëndësishme të zgjedhni me kujdes ku aplikoni. Kompanitë më të reja si Airbnb dhe Snap nuk kanë punonjës me më shumë se 20 vite përvojë. Mirëpo, nëse jeni në mes të karrierës tuaj, shikoni në kompanitë e mëdha si Oracle (22.3 përqind), Microsoft (11.3 përqind) dhe Apple (10.3 përqind), të cilat kanë punonjës me më shumë përvojë.
Në mesatare, shumica e punonjësve kanë tendenca të qëndrojnë për një ose dy vite në njërën prej këtyre kompanive të mëdha. Facebook ka përqindjen më të lartë të mbajtjes prej 2.02 vitesh, me Google (1.90 vite), Oracle (1.89 vite) dhe Apple (1.85).
Snap Inc. dhe Amazon janë dy nga kompanitë të cilat iu kërkojnë punonjësve diplomën e Master. Në fakt, 36.4 përqind e punonjësve në Snap kanë master, dhe 35.9 përqind në Amazon. Nëse keni Doktoraturë, Apple mund të jetë vendi më i mirë për ju. Nga të gjitha kompanitë e anketuara, Apple ka numrin më të lartë të punonjësve (16 përqind) të cilët kanë Doktoraturë.
Kompanitë ende kanë punë për të bërë kur është fjala tek punësimi i më shumë femra punonjëse. Për shembull, fuqia punëtore e Twitter përbëhet nga 8.2 përqind femra dhe 63.6 meshkuj. Nga të gjitha kompanitë e anketuara, Snap Inc. ka fuqinë punëtore më të shumëllojshme në terme të gjinisë, me 27.3 përqind punonjëse femra dhe 63.6 përqind punonjës meshkuj.