Një dietë e personalizuar sipas çdo profesioni është e mundur, të zgjidhni një dietë të tillë, në mënyrë që ushqimi t’ju japë energjinë e nevojshme për të përballuar gjithë ditën. Këtë e pohon Serena Missori, specialiste në endokrinologji dhe regjim ushqimor. Më poshtë vijojnë këshillat e saj për një regjim ushqimor në bazë të punës që bëni.
Zyrtarët
Ata kalojnë shumë kohë pa lëvizur. Për pasojë kanë tendencë në moseliminimin e ujit në këmbë, gjë që sjell fryrje të kyçeve të këmbëve dhe dhimbje në pjesën e prapme të gjunjëve. Kanë një tretje të ngadaltë për shkak të pozicionit dhe lëvizjeve të pakta, shpesh kanë mpirje të qafës dhe shpatullave për shkak të qëndrimit të detyruar. Këshillohet të pinë çaje bimorë dhe dezintoksikues, si dhe të hanë gjatë drekës ushqime jo të rënda, të përbëra nga drithëra integrale, proteina të thjeshta dhe barishte me gjethe të vogla për një tretje më të lehtë, të shoqëruara me vaj ulliri ekstra të virgjër dhe fara linoje të pasura me yndyra omega 3 antiimflamator.
Ata që punojnë me turne
Ata që kanë një punë me turne, si p.sh., mjekët, infermierët, shoferët (taksistët, kamionistët), pilotët, duhet të hanë edhe gjatë turneve të natës, të paktën çdo 3-4 orë, për të pasur energji të mjaftueshme dhe për të mos pasur rënie të fuqisë, për të luftuar lodhjen dhe stresin. Këshillohet thyerja e urisë me ushqime që përmbajnë proteina, karbohidrate dhe lipide. Në këtë mënyrë, organizmi do t’i tretë lehtësisht këto ushqime dhe ju jep mundësinë ta zhvilloni më së miri punën tuaj. Në fund të turnit, konsumoni një mëngjes të bollshëm, mundësisht të kripur, të pasur me fruta, perime, drithëra integrale dhe proteina dhe përpiquni të çlodheni së paku për dy orë për të ulur prodhimin e hormoneve të stresit, para se të rifilloni aktivitetet e mëtejshme.
Shtëpiaket
Ato bëjnë punët më të lodhshme fizikisht, me konsum të lartë kalorish. Megjithatë rrezikojnë të shtojnë në peshë për shkak të vakteve të çrregullta, si për aspektin e kohës, si për sasinë. Shpesh hanë ndërkohë që gatuajnë apo përfundojnë ushqimet e lëna në pjata nga fëmijët e tyre. Këshilla është që të shmangni matjen me sy dhe të keni gjithnjë parasysh sasinë e ushqimeve për të cilën ka nevojë çdo pjesëtar i familjes në mënyrë që të mos mbeten. Ato nuk duhet ta shmangin mëngjesin, por ta konsiderojnë si vaktin kryesor të ditës dhe ta bëjnë të pasur me fibra, karbohidrate, proteina dhe yndyra të shëndetshme. Mundësisht të hanë herë pas here fruta të freskëta të stinës dhe vaktet këshillohet që të përmbajnë proteina të lehta dhe perime barishtore.
Profesionistët e pavarur
Shpesh vuajnë nga stresi. Kanë tendencën të shmangin vaktet dhe të hanë kur munden, duke mos respektuar oraret, vuajnë nga pagjumësia, janë vazhdimisht në gjendje nervozizmi e gjithmonë të shqetësuar për performancën e tyre, shkruan Shije. Dieta e tyre duhet të jetë rigoroze: mëngjesi duhet të jetë i pasur me vlera ushqyese që t’u sigurojë një qëndrueshmëri të rezervave të energjisë për të përballuar pjesën më të madhe të ditës, ndërsa darka duhet konsumuar ngadalë e qetësisht, mundësisht para orës nëntë. Mëngjesi duhet të jetë i bollshëm, por me ushqime cilësore, mundësisht konsumoni gjërat e kripura (jo të ëmbla). Në drekë zgjidhni sallata të ndryshme, ndërsa në darkë supa të ngrohta ose të ftohta me bishtajore (fasule, thjerrëza, bizele, etj.), barishtore ose drithëra integrale, mish ose peshk të freskët. Për të luftuar stresin dhe për të fjetur mirë këshillohen suplementet me melatoninë, po ashtu edhe bajamet të pasura me magnez, që është si një qetësues. Çaji me murriz në darkë këshillohet për të qetësuar gjendjen e ankthit dhe stresit të grumbulluar gjatë ditës.