Ja çka po bëjmë ne në luftën me Coronavirus

Prishtinë | 20 Gus 2020 | 09:00 | Nga Mehdi Krasnniqi

Organizojmë tubime publike në ambient të hapur e të mbyllur, pa kushte dhe pa e respektuar distancën.

-Shkojmë te mjeku dhe nuk i tregojmë që kemi takuar njerëz të cilët janë të prekur me COVID-19. Madje, nuk vendosim as dorëza e as maskë.  

-Shkojmë edhe në barnatore  pa maskë e pa dorëza.

-I shajmë mjekët edhe kur ata punojnë 24 orë pa ndërprerje dhe rrobat u pikojnë djersë duke bërë të pamundurën që të shpëtohet secili pacient.

-I fyejmë policët kur na thonë vendosni maskat dhe respektoni distancën.

-Sa herë që publikohen rezultatet e testimeve nga IKSHPK, tallemi dhe komentojmë zi e më zi në llogarinë e institutit ne fb.

-Edhe pasi të jemi pozitiv me COVID-19, e thyejmë vetizolimin dhe dalim e pimë kafe me shokë, marrim pjesë në ahengje, e përdorim transportin publik, shkojmë në pishina, në markete, furra të bukës etj.

-Shkojmë në markete bashkë me të gjithë fëmijët, të cilëve as nuk ua vendosim maskat, as dorëzat. Dhe, a e dini se çka bëjmë aty, e prekim bukën pastaj e lëmë se nuk na duket taze, prekim pemët dhe perimet, prekim gjithçka që ka në rafte.

-Në institucione publike kur shkojmë, nuk e përdorim as dezinfektuesin që është i vendosur  në hyrje të objektit, se që hymë pa maskë e dorëza kjo po dihet tashmë.

-Institucionet publike nuk dezinfektohen as kur punonjësit e tyre prekën nga COVID-19.

-Zyrtarët nuk vendosin maskë e as dorëza edhe kur flasin për rrezikun nga pandemia para kamerave teksa prononcohen për medie . Pra, ta mbushin mendjen që virusi është rrenë.

-Pranojmë donacione nga gjithkush dhe nuk i testojmë, por i përdorim që aty.

-Përdorim maska dhe dorëza me prejardhje nga Kina.

-Organizojmë dasma me mbi 100 pjesëmarrës dhe pas dasmës dalin gjysma e tyre me COVID-19.

-Organizojmë ceremoni varrimi pa i përfillur rekomandimet e IKSHPK-së. Shkojmë për kryeshëndosh sa më shumë njerëz që mundemi dhe asnjëri nga ne nuk vendosim as maskë e as dorëza, njëjtë bëjnë edhe ata që presin për ngushëllime. Besa, edhe zyrtarët e lartë të shtetit marrin pjesë…

– Maskat dhe dorezat e përdorura i hedhim kudo rrugës, veç shikojmë mos po na sheh ndokush.

-Maskën njëpërdorimshe e përdorim një muaj, derisa të brehet  a shkyhet e tëra, ose t’i këputen lidhësat.

-Pështyejmë në trotuare, korridoreve të institcioneve dhe gjithkah tjetër.

-Kollitemi para tjetrit sikur nuk është gjë.

Dhe krejt në fund,

Virusi do të shkojë kur duam ne!

Të ngjashme