Është hapur takimi “Busines to Busines”, që ka për qëllim inicimin e bashkëpunimit afarist në mes të ndërmarrjeve sociale të krijuara si rezultat i grant-skemës “Rritja e punësimit të grupeve në nevojë dhe bizneseve”, anëtare të Odës Ekonomike të Kosovës.
Grant-skema është pjesë e një sërë masave të ndërmarra nga ana e BE-së për integrimin e personave në nevojë në tregun e punës, duke iu ofruar atyre mundësi që të shndërrohen në persona të vlerësuar të shoqërisë.
Pjesëmarrës ishin ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, zëvendësshefi i Seksionit të Bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Libor Chlad dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili hapi këtë takim u shpreh i kënaqur me jetësimin e këtij projekti i cili sipas tij sjell praktikat më të mira nga vendet e Bashkimit Evropian, sa i përket punësimit të personave në nevojë dhe vënien në dukje të pasioneve dhe ideve të tyre në botën e biznesit.
“Ky është një projekt, që është përkrahur nga BE përfitues të të cilit janë personat me nevoja të veçanta dhe kategorive të margjinalizuara në Kosovë. Nga ky projekt janë punësuar qindra persona. Janë trajnuar mbi 500 dhe janë krijuar shumë mundësi biznesi për këto kategori. Ajo çka është me rëndësi është se ky projekt ka sjellë përvojat më të mira të BE-së, të cilat paraqesin ekonomi sociale”, tha Abrashi.
Ministri Abrashi, njoftoi pjesëmarrësit se sa i përket Ligjit për Ndërrmarrjet Sociale jemi në fazën finale të kalimit në Qeveri dhe kjo është çështje javësh.
Përfaqësuesi i BE në Prishtinë, Libor Chlad tha se projekti i BE ka për qëllim punësimin e pjesëtarëve të grupeve të cenueshme. Ai pret ndikimet para për mirëqenien në Kosovë me këto projekte që kapin shumën mbi 2 milionë euro.
Edhe kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu tha se ka ardhur koha të dëshmohet që kjo pjesë e shoqërisë nuk dëshiron të jetë barrë e institucioneve, por dëshiron të jetë pjesë integrale e shoqërisë kosovare.
Ai shtoi se ideja kreative dhe inovative të vet punësimit për gra, të rinj, dhe grupe të tjera në nevojë jetësohen përmes financimit nga Bashkimi Evropian.
“Është koha kur duhet të dëshmohet se kjo pjesë e shoqërisë nuk dëshiron të jetë barrë, por dëshiron të jetë pjesë e proceseve punësive të shoqërisë kosovare dhe një kontribut i tillë duhet të respektohet. Ky projekt është në funksion të mbështetjes së një grupi me rëndësi të veçantë”, tha Gërxhaliu, duke shtuar se nuk mund të ketë integrim vetëm nga dimensioni politik, por duhet të ketë integrim edhe ekonomik.