Përpos porosive se “janë në dijeni” se në Kosovë është rrëzuar Qeveria dhe se do të ketë zgjedhje të reja, në Bruksel preferojnë që të lënë përshtypjen sikur “nuk u intereson shumë fushata zgjedhore” të cilën e shohin si “çështje e brendshme”.
Shpallja e zgjedhjeve nuk është diçka e papritur sepse një gjë e tillë ishte paralajmëruar disa herë, shkruan sot Koha Ditore.
Në drejtim të zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme i dukej edhe sjellja e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili për herë të parë në cilësinë e liderit formal udhëheq PDK-në në zgjedhje.
Por sjellja dhe prononcimet e disa diplomatëve amerikanë që ishin shprehur kundër zgjedhjeve kishin bërë që edhe në Bruksel, kohë pas kohe, të besonin se nuk do të ketë zgjedhje, së paku jo para vjeshtës.
Një prej arsyeve pse në BE nuk e dëshironin zhvillimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë tash është edhe situata mjaft e tensionuar në rajon, sidomos në Maqedoni dhe Shqipëri.