Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka kërkuar që të bëhen një sërë ndryshimesh para se të vendoset për pagat e sektorit publik. Kërkesa e tyre është që Projektligji për pagat të procedohet në Kuvend në pako me Ligjin për shërbimin civil dhe Ligjin për organizimin e administratës publike, shkruan sot Koha Ditore.
Projektligji për pagat, ndonëse ka kaluar në Qeveri më 30 dhjetor të vitit të kaluar dhe është proceduar në Kuvend, ende pa u diskutuar as në Kryesi të Kuvendit e as në komisione, është tërhequr nga Qeveria. Tërheqja është bërë pas kërkesës së BE-së.
Adresimi i problemeve të Ligjit për shërbimin civil, si fushë e paqartë dhe e kufizuar e ligjit, rekrutimi i pamjaftueshëm, duke përfshirë mungesën e mekanizmave efikas për promovimin e karrierës dhe rekrutimin e pamjaftueshëm të komuniteteve joshumicë, si dhe adresimi nëpërmes këtij ligji i menaxhimit të dobët të burimeve njerëzore dhe mungesës së profesionalizmit të shërbyesve civilë, janë disa nga çështjet që BE-ja ka kërkuar të përcaktohen në këtë ligj.
Nëpërmjet Ligjit për organizimin e administratës publike është kërkuar të adresohen dobësitë e administratës publike siç thuhet në një përgjigje të Zyrës së BE-së për gazetën, përgjithësisht të fragmentuar.