BE-ja pa datë për vazhdimin e dialogut Thaçi – Vuçiq

Prishtinë | 07 Mar 2018 | 16:04 | Nga

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke vazhduar. Por kjo po ndodhë vetëm në nivelin teknik, ndërmjet ekipeve negociatore të dy vendeve. Takimi i fundit i tyre ishte në fundin e muajit shkurt, ku u diskutua për marrëveshjet e arritura në Bruksel të cilat ende nuk janë zbatuar.

Pavarësisht kësaj, deri më tani ende nuk ka ndonjë datë se kur do të vazhdojë dialogu i nivelit të lartë ndërmjet presidentit Thaçi dhe Vuçiq.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq ka thënë për lajmi.net se Bashkimi Evropian ende nuk ka vendosur për datën e vazhdimit të dialogut ndërmjet dy presidentëve.

“Për momentin nuk mund ta konfirmoj datën e takimit të ardhshëm të dialogut të nivelit të lartë”, ka thënë Kocijançiq.

E pyetur në lidhje me temat që do të diskutohen ndërmjet presidentit të Kosovës dhe Serbisë, zëdhënësja e KE-së nuk dha detaje.

Kocijançiq deklaroi se temat dakordohen nga të dy shtetet.

“Agjenda është gjithmonë e dakorduar ndërmjet dy palëve”, ka thënë Maja Kocijançiq për lajmi.net.

Edhe pse jo në kuadër të dialogut, Thaçi e Vuçiq u takuan disa ditë më parë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Sofje të Bullgarisë.

Që dialogun e nivelit të lartë ta udhëheq presidenti Thaçi, nuk po pajtohen partitë opozitare.

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë javës së kaluar në një konferencë për media i bëri thirrje presidentit që ta raportojë në Kuvend për vazhdimin e dialogut.

Partia e Isa Mustafës kërkoi edhe nga qeveria një punë më të madhe në këtë aspekt.

Ndryshe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe arritja e një marrëveshje përfundimtare është kusht kryesor nga Bashkimi Evropian, për integrimin e të dyja vendeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme