BE-ja pret që ura e Ibrit të inaugurohet së shpejti

Prishtinë | 24 Qer 2017 | 12:20 | Nga Besa Maliqi

Bashkimi Evropian pret që shumë shpejt të inaugurohet ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Punimet në pjesën jugore janë duke vazhduar sipas planit, thonë në Zyrën e këtij misioni në Kosovë, në një përgjigje përmes postës elektronike, për Ekonomia Online.

“BE pret që të përfundohen dhe inaugurohen dy projektet së shpejti”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Punimet në pjesën veriore janë ndërprerë me urdhër të kryetarit Goran Rakiq. Revitalizimi i urës së Ibrit financohet nga BE, ndërsa punimet në sheshin “Karl Pertar” në veri financohen nga komuna veriore.

Punimet janë duke u kryer nga dy kompani “Sintek doo” nga Maqedonia dhe “King ShPK” nga Kosova. I gjithë projekti do të kushtojë 1.45 milion euro.

Revitalizimi i urës është paraparë në bazë të marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës e Serbisë.

Ura e Ibrit ishte planifikuar të hapet për qarkullim në qershor të 2016, por u shtye në janar të vitit të këtij viti.

Por as në janar nuk ndodhi përurimi i projektit pasiqë në pjesën veriore u ndërtua një mur që pamundësohte qarkullimin në ata pjesë.

Mirëpo pas intervenimit të BE-së muri u zvogëlua, por nuk u hoq përfundimisht.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme