Nëse gjithçka shkon sipas një skenari optimist që po diskutohet në Komisionin Evropian, deri në vitin 2025 Mali i Zi dhe Serbia do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian, negociatat për anëtarësim do të ishin të avancuara edhe me vendet e tjera të rajonit – Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë.
Paraprakisht, deri në vitin 2019, Kosova dhe Serbia do të kenë arritur normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në formën e një “marrëveshjeje ligjërisht obliguese”, që përmendet si kusht bazë për të dyja vendet në rrugën e integrimit evropian, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në të njëjtën kohë – deri më 2019-n, pra – Bosnjë-Hercegovina do të ketë marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Shqipëria do t’i ketë zbatuar në mënyrë të bindshme pesë prioritetet, përfshirë reformat aktuale të gjyqësorit. Maqedonia do të ketë arritur reforma të prekshme dhe do ta ketë të zgjidhur kontestin e emrit me Greqinë, ndërsa të dy qeveritë – edhe ajo në Tiranë edhe ajo në Shkup – me zbatimin e këtyre kushteve do t’i kenë të nisura edhe negociatat për anëtarësim.
Në fund të këtij procesi, më 2025-n, të gjitha vendet e rajonit do të kenë iniciuar apo edhe zbatuar reforma gjithëpërfshirëse dhe bindëse në fushat kyç të sundimit të ligjit, konkurrencës, dhe bashkëpunimit e pajtimit rajonal. Detajet ekskluzive për krejt çka parasheh draft-strategjia e re e BE-së për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor.