Jakaj nga IKD: Kuvendi duhet të konstituohet pa vonesa, ashtu si edhe Qeveria

Prishtinë | 10 Shk 2026 | 13:50 | Nga Ekonomia Online

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e quajtur vendim të mirë thirrjen e seancës konstituive, por pret që diskutimet për Presidentin apo Presidenten të nisin në mënyrë serioze dhe gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të respektohet afati kushtetues i cili përfundon me 4 mars 2026.

“Shumë mirë që seanca konstituive është thirrur me shpejtësinë maksimale. Megjithatë, administratën e Kuvendit e pret një punë e madhe për t’u përgatitur për një seancë kaq të rëndësishme. Duke qenë se tashmë nuk ka asnjë dilemë se kujt i takojnë pozitat në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, secili deputet nesër duhet të jetë i gatshëm të votojë propozimet e subjekteve politike përkatëse. Kuvendi duhet të konstituohet pa vonesa, ashtu si edhe Qeveria të votohet menjëherë pas konstituimit të Kuvendit”, shkroi Jakaj.

Ai po ashtu përmendi edhe vendimet urgjente që duhet të ndërmerren.

“Më pas, në rend të ditës duhet të jenë vendimet urgjente: Ligji për ndarjet buxhetore, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare (Plani i Rritjes dhe BB), sigurimi i financimit për RTK-në, zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, si dhe financimi për komunat. Të gjitha këto duhet të miratohen më së largu deri këtë të shtunë – në interesin më të mirë të Republikës. Ndërkohë, diskutimet për Presidentin/Presidenten duhet të nisin në mënyrë serioze dhe gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të respektohet afati kushtetues, i cili përfundon më 4 mars 2026”, ka shkruar Jakaj.

Të ngjashme