Naim Jakaj nga IKD ka propozuar krijimin e një qeverie teknike.
Jakaj tha se vetëm në këtë formë do të mund të miratohej buxheti e disa marrëveshje ndërkombëtare.
Postimi:
Edhe gjashtë ditë afat për mandatarin e dytë, Glauk Konjufca, që ta propozojë kabinetin qeveritar dhe të kërkojë besimin e Kuvendit.
Por gjasat për formimin e një qeverie të re janë minimale.
Nuk ekziston një shumicë e re parlamentare që do t’i siguronte më shumë vota sesa i pati mandatar i parë, Albin Kurti. Kabineti që pritet të prezantojë Konjufca është praktikisht i njëjtë me atë të Kurtit dhe pa ndryshime në përbërje ose në ndonjë aleancë të re politike, nuk pritet as rezultat i ndryshëm.
Konjufca ka sinjalizuar se nuk kërkon koalicione të reja, por vetëm mirëkuptim për votimin e qeverisë së tij. Ndërkohë, vendi mbetet pa buxhet për vitin e ardhshëm, pa disa buxhete komunale, pa ratifikimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare të Planit të Rritjes së BE-së dhe pa miratuar buxhetin e RTK-së.
Zgjidhja e vetme reale do të ishte një marrëveshje politike për një qeveri teknike me mandat të kufizuar.
Deri tani, Konjufca nuk ka bërë asnjë lëvizje drejt partive parlamentare për ta kërkuar këtë.
Ndërkohë, është e pazakontë që seanca për votimin e qeverisë nuk thirret më herët, gjë që në legjislaturat e kaluara është bërë menjëherë pas konstituimit të Kuvendit.
Vonesa e tillë tregon mungesë të votave për Qeverinë Konjufca, s’ka koalicione të reja, s’ka gatishmëri nga PDK, LDK, AAK dhe NISMA dhe asnjë deputet individual se do të ofrohet mbështetje.