Këto ditë kryeministri Kurti i ka bërë dy postime të çuditshme. Të parin me 4 Korrik, kur shënohet dita e pavarësisë së SHBA-ve. Dhe të dytin dje, me rastin 14 Korrikut ditës kombëtare të Francës. Në këtë datë Revolucioni i vitit 1789 e kishte arritur klimaksin e tij, pasi masat e pushtuan edhe burgun e Bastijës.
Në postimin e parë thujase asgjë nuk fletë për përmasat novatore të asaj ngjarje. Qëllimshëm e zhvendos interpretimin në luftën civile që kishte ndodhur në atë shtet shumë më vonë. E neglizhon rëndësinë e Revolucionit Amerikan. Të njëjtin e përmend dje vetem shkarazi. Kurse në postimin e djeshëm me një pasion të veçantë thurr elozhe për Revolucionin Francez.
Interpretime të tilla për këto dy ngjarje, më shumë flasin për kryeministrin se sa për vet ato. Sepse, tregojnë për doktrinat e tij politike e të cilat ndikojnë te ai në keqleximin e historisë. Dhe dëshmojnë se edukimi dhe arsimimi për të cilin ai flet, se na duhet sot me shumë se kurrë, për të përkujtuar data të tilla, mbase i nevojitet atij më shumë se çdokujt tjetër, për t’u këndellur nga kotja e tij dogmatike.
Revolucionet janë fenomene moderne politike. Dhe nuk ka dyshim se Revolucioni Amerikan dhe ai Francez janë paradigmat kryesore të këtyre zhvillimeve. Mirëpo, këto fenomene kanë dallime rrënjësore ndërmjet vete. Sepse, i pari kishte përfunduar në konstitucionalizim, kurse i dyti në terror. Aryset se pse Revolucioni Francez përfundoi në një përgjakje të tillë janë elaborur në nga Hegeli në veprën e tij “Fenomenlogjia e Frymës”, përkatësisht kapitullin kushtuar “Lirisë absolute dhe terrorit.
Madje, siç ka argumentuar Hannah Arendt në veprën “On Revolution”, kudo ku në botë kishin shpërthyer revolucionet sipas modelit francez, të drejtat dhe liritë e njeriut ishin pakësuar pas triumfit të revolucionit, në raport me gjendjen para tij. Revolucioni Rus është është një rast tipik i këtij degjenerimi. Gjë që nuk kishte ndodhur me Revolucionin Amerikan. Dhe ajo pohon se me këtë vepër pikërisht mëton t’ia rikthej shkëlqimin historik kësaj ngjarje që padrejtësisht është neglizhuar gjatë shekujeve. Dhe janë traditat politike jakobiniste ato që kanë ndikuar më së shumti që të mjegullohet relevanca e këtij të fundit dhe të hynjëzohet rëndësia e atij Francez. Dhe tradita të tilla, rob mental i të cilave, siç po shihet është ende Kurti, kanë ndikuar që ai ta ketë këtë interpretim të shtrembëruar të historisë.
Po ashtu, në postimin e djeshëm shprehet me përçmim për nocionin konservatorizëm. Kjo e fundit si doktrinë politikë morri hov në truallin britanik, pikërisht si përpjekje për ta mbrojtur shoqërinë dhe politikën e vendit ishullor nga pasojat e asaj që ndodhi në Francë. Një nga apologjetët më të njohur të saj ishte Edmund Burke. Dhe kjo traditë u tregua vendimtare në konsolidimin dhe avancimin politik të Britanisë. Gjë që nuk do thotë se ishte më pak profitabile për atë shoqëri se sa doktrina jakobiniste për Francën. Përkundrazi, vetëm sa ishte më frytdhënëse për liritë dhe të drejtat politike të asaj shoqërie. Dhe atë duke e shmangur terrorin.
Në fund, dje Kurti nuk ka la përmendur ndikimin që kultura franceze ka pasur te disa persoanlitete tona politike, kulturore, letrare dhe intelektuale, sikur se Ismail Kadarenë, Muhamedin Kullashin etj. Mirëpo, ai kurrë nuk e ka potencuar ndikimin që ka pasur mendimi politik amerikan i asaj epoke në teorinë e Ukshin Hotit, ndjekës i të cilit thotë se është. Pikërisht, koncepti i demokracisë autentike rrjedh nga kjo trashëgimi.
Por me neglizhimin e rëndësisë historike të atyre ngjarjeve revolucionare dhe mbrojten e njëanshme që u bënë këtyre që u zhvilluan në truallin e Francës, tregojnë se ai më shumë e përdor Ukshin Hotin për nevoja ditore politike, se sa mirëfilli e ka atë një guidë teorike dhe politike. Sepse do ta kishte veçuar me 4 korrik edhe influencën ka pasur ajo trashëgimi fisnike politike mbi Ukshin Hotin.