Boston Celtics dorëzohet përballë klasit të LeBron James atëherë kur askush se priste. Në finalen e 7-të ligjin e bëri sërish mbreti James me Cleveland Cavaliers që i shkaktoi humbjen e parë shtëpiake në play-off skuadrës më të titulluar të NBA-së, duke e lënë pa gjë edhe në këtë sezon formacionin nga Masacussettsi. Në “TD Garden” Lebron James zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme duke i dhënë titullin në Konferencën e Lindjes për të 4-in vit radhazi skuadrës së tij dhe duke e kualifikuar Cleveland-in në finalen e madhe të NBA-së, aty ku do të sfidojë një mes Houston Rockets dhe Golden State Warriors për të fituar titullin e dytë kampion në histori pas atij të vitit 2016-të.
Gjithçka të bënte të mendoje se ky do të ishte viti i Bostonit në Lindje për shumë arsye por pas 3 humbje radhazi në “TD Garden” dhe për më tepër pa Kevin Love në skuadër për arsye dëmtimi LeBron vendosi të thoshte fjalën e tij në këtë finale të 7-të që vlente sa një sezon i tërë. 33-vjeçari nga Akron koleksionoi në total 35 pikë, 9 asiste dhe 15 rikuperime duke udhëhequr Cavaliers drejt një fitoreje të madhe me shifrat 87:79. Ishte një sfidë në të cilën dominuan mbrojtjet me Jayson Tatum që ishte basketbollisti më i mirë mbi parket për Celtics me 24 pikë në total.
Edhe pse vuajti mungesën e Kyrie Irving gjatë fazës play-off, Boston tregoi një nivel të lartë sidomos në ndeshjet shtëpiake duke u dorëzuar vetëm në fund në finalen e Lindjes ndaj Cleveland pikërisht atëherë kur nuk duhej. Vendasit e nisën në mënyrë të shkëlqyer sfidën duke e mbyllur periodën e parë në avantazhin e 8 pikëve, por vetëm kaq për Celtics sepse më pas Cavaliers fituan pak nga pak terren duke marrë frenat e lojës në dorë për një fitore që u dha për herë të 4-ët radhazi titullin e Konferencës së Lindjes.