LeBron James ka siguruar fitoren e parë si basketbollist i LA Lakers në NBA, duke mposhtur Phoenix Sunsin me rezultat 131-113 .
“Mbreti” James në këtë takim realizoi 19 pikë, 10 asistime dhe pati 7 kërcime.
James i kishte të gjitha mundësitë që të shënonte statistika dyshifrore në të tria këto aspekte, “triple double”-n e 74-t në karrierën e tij, pasi gjithçka arriti ta ndërtonte brenda 3 periodave të para, por në të katërtën u ul në stol, duke qenë se ndeshja ishte në favor të kalifornianëve.
Një fitore që vjen gjithashtu edhe me një “rekord”, pasi ishin plot 7 lojtarë të Lakersave që regjistruan shifra të dyfishta sa u përket pikëve. Lance Stephenson me 23 pikë, JaVale McGee me 20 pikë, si dhe Kyle Kuzma me 17 ishin më kryesorët pas Jamesit.
James firmosi 3 muaj më parë me LA Lakers, pasi udhëhoqi Cleveland Cavaliers deri në finalet e mëdha të NBA për të katërtin vit radhazi, përfshi edhe titullin e parë kampion që fituan në vitin 2016. Por, James iu bashkua një klubi që në 5 sezonet e fundit nuk ka mundur dot të sigurojë pjesëmarrjen në “play off”-et e NBA-së, periudha më e gjatë kjo në historinë e kalifornianëve, të cilët janë ndërkohë edhe 16 herë kampionë të NBA-së.
Për Phoenix Suns, Devin Booker shënoi 23 pikë, 7 topa në tabelë dhe 7 asistime, por u largua nga parketi në periodën e tretë për shkak të një lëndimi. Deandre Ayton shënoi 22 pikë dhe 11 topa në tabelë, gjithsesi, këto statistika nuk mjaftuan për ta.
Los Angeles fitoi në mungesë të Rajon Rondo, i pezulluar për shkak të pjesëmarrjes në sherrin me Chris Paulin e Houston Rockets, mbrëmjen e së shtunës, sikurse edhe Brandon Ingram.
Në ndeshjet e tjera, Toronto siguroi fitoren e pestë pasi mposhti 112-105 Minnesota Timberëolves; ndërsa Utah Jazz mposhti 100-89 Houston Rockets, që përveç mungesës së Chris Paul, humbi edhe shërbimet e James Harden për shkak dëmtimi.