Britaniku 63 vjeçar, që nga Brukseli i jepte Milosheviqit edhe të rejat e parashikimit të motit, ishte zëri i Aleancës Veri-Atlantike që dilte çdo ditë nëpër konferenca për shtyp nga selia e NATO-s për t’i dhënë informatat e fundit rreth ecurisë së fushatës ajrore të bombardimeve të NATO-s.
18 vjet më vonë, në ditën kur Kosova po shënon përvjetorin e nisjes së këtyre sulmeve, në një intervistë për KALLXO.com, Jamie Shea thotë se kjo fushatë 78 ditëshe e ka ndalur pastrimin etnik në Kosovë dhe i ka dhënë vendit e rajonit mundësinë për zhvillim.
Shea, i cili tani punon në selinë e NATO-s në postin e zëvendës-asistentit të Sekretarit të Përgjithshëm për Sfidat e Sigurisë, thotë se nga operacioni i ndërmarrë në pranverë të vitit 1999 aleanca ka mësuar se duhet të qëndrojë e bashkuar, për të mos u dhënë kundërshtarëve shpresën që të mund të përfitojnë nga një përçarje e aleatëve.
Në këtë intervistë, Shea flet edhe për nismën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ndryshimin e misionit të FSK-së, për rritjen e forcave nacionaliste në rajon, për ndikimin e Rusisë.