Policia në Varshavë ka arrestuar 278 persona të shtunën pasi mijëra kanë protestuar kundër masave të reja kufizuese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, raporton agjencia Reuters.
Nga Policia është njoftuar se protestuesit kanë sulmuar policët, kanë gjuajtur me gurë, shishe qelqi dhe po ashtu fishekzjarrë. Policia ka përdorur gaz lotsjellës në disa raste gjatë protestës në Varshavë.
“Ne kemi arrestuar 278 persona. Kemi pasur qartë të bëjmë me një manifestim të agresivitetit, këta njerëz kishin ardhur të luftojnë me ne”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Varshavës, Sylwester Marczak të dielën.
Polonia është duke regjistruar rritje të madhe të numrit të rasteve me koronavirus. Të premten u regjistrua rekord ditor prej 13.632 raste.
Kreu i Federatës së Futbollit të Polonisë, Zbigniew Boniek, të dielën kaq njoftuar se ka qenë i infektuar me koronavirus. Njoftimi i tij ka ardhur një ditë pasi që presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, po ashtu rezultoi pozitiv.