Kryeministri Kurti konfirmoi se Kosova do të aplikoj vitin tjetër për anëtarësim në BE – akti i cili shpie drejt marrjes së statusit të vendit kandidat. Kosova dhe Bosnja mbesin të vetmet vendet në rajon pa statusin e vendit kandidat.
Sa do jetë i suksesshëm aplikimi i Kosovës mbetet të shihet. Bosnja ka aplikuar për anëtarësim në vitin 2016 dhe përkundër pranimit të aplikacionit nga ana e BE-së, Bosnja ende, pesë vite më vonë, nuk ka arritur të përmbush kriteret e nevojshme për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Sidoqoftë, tentativa e Qeverisë për të dalur nga status-quoja në procesin e integrimit është e mirëseardhur.
Hendeku në mes Kosovës dhe BE-së për çështjen e Asociacionit tani më është edhe publik. Përfaqësuesi i Lartë Borell publikisht shprehi mospajtim me Kryeministrin Kurti sa i përket obligimit të Kosovës për ngritjen e Asociacionit. Në të njëjtën vij me BE-në është edhe SHBA.
Pra, deri në, dhe me përfundimin e zgjedhjeve në Serbi në prill 2022, presioni ndërkombëtar mbi Kryeministrin Kurti do të rritet për të marr vendime të vështira në kuadër të dialogut.
Është e qartë se i vije fundi atij narracioni “dialogu është prioritet i katërt”, “duhet të bëhet dialog me Serbët lokal”, “CEFTA duhet të zëvendësohet me SEFTA”, etj.
Tani më është e qartë se asnjë nga këto qëndrimet nuk kanë mbështetjen e BE-së apo SHBA-ve. Siç duket Kryeministri Kurti është në udhëkryq. Me një anë ai mund të zgjedh rrugën e lehtë dhe të bëhet “i favorizuari i ndërkombëtarëve”, duke thënë PO kërkesave të tyre.
Apo ai mund të zgjedh rrugën e vështirë dhe të qëndroj besnik bindjeve të tij dhe aleancës që ka bërë me qytetarët.