Edhe pse pronarët e kafshëve shtëpiake shpesh tregojnë ndodhi me të cilat duan të dëshmojnë se macet janë më të mençura se qentë, ka pak prova shkencore për t’i verifikuar këto pretendime.
Një vështrim i thjeshtë në strukturën e trurit të këtyre kafshëve mund të na zbulojë shumë për inteligjencën e tyre. Truri i familjes së maces është sa 0.9 për qind e peshës së tyre trupore, ndërsa kjo përqindje tek qentë është 1.2.
Megjithatë, disa studiues pohojnë se madhësia e trurit nuk është çelësi i inteligjencës. Dallimi në numrin e neuroneve në mes të dy specieve thotë diçka tjetër.
Brenda korteksit cerebral (zona e trurit e cila, ndër të tjera, është përgjegjëse për procesimin e informacionit, zgjidhjen e problemeve dhe perceptimin) tek macet ka 300 milionë neurone, krahasuar me qenin i cili i ka 160 milionë neurone.
Kohëve të fundit janë publikuar studime të ndryshme të cilat tregojnë se sa është në fakt inteligjent qeni. Kanidët, për shembull, mund t’i kategorizojnë objektet sipas kategorive (që është dëshmi se janë të aftë për të menduarit abstrakt), dhe deri në një masë të kuptojnë se çfarë mendon njeriu.
Kjo do të thotë se ata kanë tipare të veçanta njohëse, të cilat ne i quajmë teori të mendjes (aftësia e të kuptuarit dhe dhembshurisë me të tjerët).
Sa për aftësitë njohëse të maceve, është vërejtur një mungesë e konsiderueshme e kërkimeve, gjë që ndoshta ka të bëjë me faktin se me macet është shumë vështirë të punohet.
Hulumtuesit janë përpjekur ta vërtetojnë nëse macet janë në gjendje t’i dallojnë objektet me vlera të ndryshme sasiore – një aftësi që është identifikuar më parë tek peshqit. Christian Agrillo, psikolog krahasues, tha: “Ju siguroj që më lehtë është të punosh me peshqit se me macet”.
Hulumtimet kanë treguar se macet mund të mësojnë ta dallojnë sasinë, por ato vetë nuk e kanë të zhvilluar këtë aftësi siç e kanë disa kafshë të tjera.
Një tjetër studim tregoi se (pas shumë vështirësive) macet, si qentë, mund t’i ndjekin lëvizjet me të cilat ua tërheqim vëmendjen në diçka, që tregon se edhe ato kanë teori rudimentare të mendjes.
Hulumtimi gjithashtu zbuloi se si macet ashtu edhe qentë mund të zgjidhin detyra të thjeshta për të arritur tek ushqimi, por kur detyra u bëhet e pazgjidhshme, qeni do të kërkojë ndihmë nga njeriu, ndërsa macja do të vazhdojë të provojë.
Kjo si përfundim nuk do të thotë se qentë janë më të mençur se macet, por vetëm se ata kanë interaksion më të zhvilluar dhe aftësi më të zhvilluara sociale me njerëzit, gjë që nuk është për t’u habitur kur e dimë se qeni është zbutur të paktën 20.000 vjet para maces.