Analisti politik Dushan Janjiq shprehet skeptik për dialogun Kosovë-Serbi për shkak të çasjes së palëve dhe Bashkimit Evropian. Ai pret që deri në fund të vitit të arrihet një marrëveshje ndërmjet këtyre dy shteteve, por pa njohje nga Serbia për shtetësinë e Kosovës.
Njohësi i zhvillimeve politike, Dushanj Janjiq, beson se Kosova dhe Serbia, do të arrijnë marrëveshje deri në fund vitin tjetër, por që nuk do të ketë njohje të pavarësisë, por vetëm të realitetit në vendin tonë.
“Unë mendoj që palët mund të arrijnë një marrëveshje në fund te vitit të ardhshëm, të ngjashme siç̧ ishte ajo në Washington, ku Presidenti Vuçiq do e njoh realitetin e Kosovës, por nuk do e njoh tërësisht pavarësinë e Kosovës”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Dushan Janjiq.
Janjiq, tha se janë dy probleme që po e pengojnë progresin në dialog.
“E para është papërgatitja që ka Emisari Miroslav Lajçak dhe ekipa e tij dhe vet Bashkimi Evropian. Është e gabuar të niset me idenë se nuk pajtohemi për asgjë deri sa të arrihet pajtimi i përgjithshëm. Këso marrëveshje mund të bësh me tregtar nëpër dyqane, por jo në mes dy shteteve. Unë mendoj që duhet të pritet për ardhjen e Biden-it, në mënyrë që Brukseli të bashkëpunojë ngushtë me Uashingtonin, që ta shtyjnë para procesin e dialogut”.
Analisti serb, thotë se duhet presion ndërkombëtar mbi Serbinë për çështjen e trupave të zhdukurve në luftën e fundit në vend, teksa tha se serbët i dinë se ku janë trupat.
“Veçanërisht nga ana Serbisë tema e të pagjeturve injorohet. Në Serbi njerëzit e dinë se ku janë trupat, përfshirë këtu edhe lokacionet, si Batajnica dhe vendet e tjera. Pas gjithë këtyre viteve efshtë e papranueshme që mos të zbardhen trupat e të pagjeturve, kjo nuk i ndihmon aspak Serbisë që ta mbrojë politikën e Milosheviçit dhe t’i ndihmojë disa personave t’i ikin drejtësisë, kriminelët e luftës duhet të dënohen”.
BE-ja përmes një përgjigje për RTV Dukagjinin, ka thënë se nuk ka ndonjë datë për takim të radhës mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.