Futbollisti ofensiv kosovar Adnan Januzaj është një person me ambicie të mëdha në karrierë. Një nga ato ambicie të tij është që ta fitojë “Topin e artë”.
Januzaj këtë stinor është duke luajtur te Real Sociedadi në La Ligan spanjolle dhe është stabilizuar pas një periudhe të vështirë që pati në futbollin anglez vitet e fundit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Januzaj, 23-vjeçar, shpreson që të shijojë një Botëror të radhës me Përfaqësuesen e Belgjikës. Ai ishte pjesë e Belgjikës në botërorin “Brazil 2014” dhe u aktivizua në një ndeshje në atë ngjarje. Ai shpreson të jetë edhe në “Rusia 2018”.
“Do të ishte ëndërr ta përjetoja sërish Kupën e Botës. Unë besoj në këtë. Përndryshe më mirë do të ndalja së luajturi futboll, pasi për para nuk kam pse të luaj më. Nuk kam pse të punoj më për para, por nuk punoj për këtë. Synimi im është që më vonë në karrierë, kur të jam në një shitore apo restorant, njerëzit të thonë: ‘Ai Januzaj ka pasur karrierë të mirë’. Dua të jem i respektuar. Si futbollist dhe si person. Unë besoj se një ditë mund ta fitoj ‘Topin e artë’, nëse vazhdoj të punoj fort. Kam kualitetet për këtë. Dhe Cristiano Ronaldo nuk do të luajë edhe dhjetë vjet në këtë nivel, dhe kjo është përparësi për mua”, thotë Januzaj në një intervistë për “HLN.be”