Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i shoqëruar edhe nga ambasadori i Kosovës në Japoni, Leon Malazogu, dhe shefi i kabinetit në MAShT, Baton Dushi, po marrin pjesë në punimet e forumit të Shkencës dhe Teknologjisë në Shoqëri (STS), në Kijoto të Japonisë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme të shkencës dhe teknologjisë, fjalën e hapjes e mbajti kryetari dhe themeluesi i këtij Forumi, Koji Omi, ndërsa punimet i ka përshëndetur kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.
“Kryeministri i Japonisë e vlerësoi shumë të rëndësishme mbajtjen e kësaj ngjarje për zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë në botë,” ka shkruar Bytyqi në Facebook.
Forumi STS është një lëvizje e udhëheqësve të botës në fushën e politikës, shkencës, biznesit dhe mediave, që merren me shkencë dhe teknologji, dhe në funksion të saj, në këtë forum, ministrat e vendeve të ndryshme të botës do të debatojnë për bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e shkencës, teknologjisë dhe inovacioneve.