Pilula e abortit do të bëhet e disponueshme në Japoni për herë të parë, pasi Ministria e Shëndetësisë atje miratoi një ilaç që përdoret për të ndërprerë shtatzënitë në fazat e hershme.
Aborti është i ligjshëm në Japoni deri në 22 javë, por zakonisht kërkohet pëlqimi nga bashkëshorti ose partneri, dhe deri më tani një procedurë kirurgjikale ka qenë opsioni i vetëm.
Ministria tha në një njoftim për zyrtarët e kujdesit shëndetësor të premten se kishte miratuar një ilaç të prodhuar nga Linepharma.
Kompania farmaceutike britanike paraqiti produktin e saj, një trajtim me dy hapa të mifepristonit dhe misoprostolit, për miratim në Japoni në dhjetor 2021.
Ilaçe të ngjashme janë të disponueshme në shumë vende, duke përfshirë Francën, e cila miratoi për herë të parë pilulën e abortit në vitin 1988, dhe SHBA, ku ajo ka qenë e disponueshme që nga viti 2000.
Miratimi i pilulës për t’i dhënë fund shtatzënive deri në nëntë javë pason një miratim të panelit të ministrisë, i cili u shty për një muaj pasi u bënë mijëra parashtresa publike, shkruan Guardian.
Kostoja totale e pilulës së abortit dhe një konsultë mjekësore do të kushtojë rreth 700 euro. Abortet në Japoni nuk mbulohen nga sigurimi shëndetësor publik.