Kryetari i Odës Ekonomike (OEK), Berat Rukiqi, së bashku me Mitsunori Ogasawara nga Ambasada e Japonisë dhe Satoshi Abe, drejtor gjeneral i kompanisë “Jetro” në Vjenë kanë viztuar kompaninë “Gjirafa”, raporton Ekonomia Online.
Gjatë takimit u shfaq interesim i të dy palëve për të investuar në Kosovë.
Abe tha se do të forcojnë lidhjet me bizneset kosovare.
“Ne mbulojmë tetë shtete dhe deri tani aktivitetet tona nuk kanë qenë të përfshira në Kosovë. Nuk e dimë çfarë mund të bëjmë këtu, por ne mendojmë se së pari të dërgojmë investitorë të lidhur me misione ekonomike. Ne duhet të forcojmë lidhjet tona me autoritetet e Kosovës dhe me bizneset”, tha Abe.
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi tha se janë të interesuar të promovojnë shtetin e Kosovës përmes bizneseve.
“Është e rëndësishme të kemi përkushtim dhe të kemi lidhje të forta me institutet japoneze. Kam pasur rastin të shoh biznese në Japoni dhe ata kanë bërë një punë të mirë. Kemi qenë më të fokusuar në vitin 2018 në bizneset japoneze, gjatë së cilës ka ndodhur edhe rihapja e ambasadës japoneze në Prishtinë. Sapo të kemi një agjendë ne do të punojmë me kompani të ndryshme që të jenë pjesë e promovimit të shtetit sepse jam i interesuar të kemi promovim nga bizneset dhe jo nga politika”, tha Rukiqi, raporton EO.
Pas takimit ata kanë mbajtur konferencë për medie.
Rukiqi ka përmendur sa e rëndësishme është promovimi i vendit përmes biznesit. Ndër to ai përmendi Gjirafën, kompani të cilën e vlerësoi të rëndësishme për tregjet vendore dhe ndërkombëtare.
“Gjirafa është modeli më i mirë i rritjes jo të lehtë të kompanive tona. E bazuar në një cilësi që është e rëndësishme edhe për tregjet ndërkombëtare. Është në vazhdën e përgatitjes së investimeve në Kosovë dhe i intensifikimit të kompanive. Japonia është ndër vendet me të rëndësishme sot sa i përket ekonomisë. Është vendi ku aty që hyn lë gjurmë. Përmes këtyre shembujve e kemi një mundësi të mirë për promovimin e vendit dhe mundësive që ka ky vend”, tha ai.
Satoshi Abe, drejtor i kompanisë Jetro në Vjenë, tha se do të promovojnë cilësinë e kompanive shqiptare dhe japoneze.
“Në këtë rast të 10-vjetorit të lidhjeve diplomatike me Kosovën, unë vizitoj Kosovën për herë të parë dhe mësoj se Kosova është një shtet i mirë. Do të promovojmë cilësinë mes kompanive si të Kosovës ashtu edhe ato japoneze”, u shpreh ai.
Drejtor i kompanisë Gjirafa, Mërgim Cahani, u shpreh i gatshëm për mundësitë e bashkëpunimit.
“Është kënaqësi si Japonia është zhvillu si shtet ndër vite. Si gjirafë kemi mundësi me mësu prej kompanive të tjera. Jemi të gatshëm gjithmonë me ditë si janë mundësitë e bashkëpunimit për me ecë përpara”, ka thënë Cahani.