Ministria e Shëndetësisë në Japoni ka njoftuar për 75 raste të reja të infektimeve me koronavirus dhe 12 të vdekur gjatë 24 orëve të kaluara. Kjo ishte dita e katërt me radhë që vendi shënoi rritje të rasteve ditore.
Kështu, numri i përgjithshëm i të infektuarve shkoi në 17,516 dhe numri i të vdekurve në 899 të vdekur, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.
Rritja e numrit të rasteve ditore erdhi pasi qeveria japoneze vendosi për t’i dhënë fund gjendjes së jashtëzakonshme.
Kryeministri Shinzo Abe e mori vendimin për largimin e gjendjes emergjente të hënën. Sidoqoftë, shumë prej masave kufizuese ishin larguar edhe më herët, përpos në Tokio dhe në katër prefektura të tjera.
Sipas ligjeve në fuqi, policia nuk i detyron qytetarët për zbatimin e masave të izolimit, por kjo masë më tepër jepet si këshillë dhe mbetet në vullnetin e qytetarëve për ta respektuar atë.