Japonia zgjat gjendjen e jashtëzakonshme deri më 31 maj

Prishtinë | 04 Maj 2020 | 12:07 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka bërë të ditur të hënën se ka vendosur për zgjatjen e gjendjes kombëtare të jashtëzakonshme deri më 31 maj, raporton Reuters.

Abe do ta marrë parasysh heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme papritur deri më 31 maj nëse këshilltarët ekspertë vendosin se kjo është e mundshme duke u bazuar në analizat e trendeve rajonale të infektimeve, ka thënë ai në mbledhjen e task forcës qeveritare për koronavirusin.

Ai deklaroi se këshilltarët e tij i kanë thënë se Japonia nuk ka parë rritje eksplozive të numrit të infektuarve si në shtete të tjera, por numri i rasteve të reja të infeksioneve nuk ka rënë mjaftueshëm dhe ka rajone ku sistemet shëndetësore po hasin vështirësi, transmeton KOHA.

“Në këtë pikëvështrim, unë do ta zgjas gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur më 7 prill deri më 31 maj”, ka thënë Abe, duke shtuar se kjo do të vlejë për të gjithë vendin.

Për 13 prefekturat, duke përfshirë edhe Tokion dhe Osakan që janë goditur më shumë, caku për reduktimin e kontaktit mes personave më 80 për qind vazhdon të jetë në fuqi.

Japonia do të lëvizë gradualisht, me një qasje që e kombinon parandalimin e infeksioneve dhe mirëmbajtjes së aktiviteteve sociale e ekonomike, ka shtuar ai.

Ndonëse Japonia nuk është përballur me shpërthim të madh në krahasim me disa nga epiqendrat globale, koronavirusi i ka infektuar 15.913 persona dhe i ka lënë të vdekur 542 persona në të gjithë shtetin, ka raportuar transmetuesi publik NHK.

Të ngjashme