Kryetari i Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Rrahman Jasharaj, ka apeluar te drejtoritë lokale që të mos bien pre e presioneve. Sipas tij, për hir të nxënësve kanë lejuar që të mbahet testi i arritshmërisë, raporton Ekonomia Online.
Grevistët kërkojnë nga 100 euro në muaj, shtesë, deri në miratimin e Ligjit për pagat.
Jasharaj ka thënë se mohimi, sipas tij, i kësaj të drejte, është i padrejtë.
“Ju lutem të mos bëni lista false për t’i ndihmuar një njeriu që është kundër demokracisë, e ai është Hekuran Murati”, ka thënë ai, duke shtuar se janë të gatshëm të ulën me Qeverinë. Sipas tij, shuma e kërkuar nga mësimdhënësit është simbolike.
“Deklarata e Muratit te anëtarësia jonë për miliona ka qenë e kotë. Të gjithë i dinë të hyrat tona. Murati nuk e ka lexuar ligjin sindikal dhe statutin tonë i cili është i publikuar. Këtë buxhet nuk e kemi mbledhur me nda rroga sepse nuk e kemi këtë fuqi. Ne nuk kemi buxhet për të paguar paga dhe nuk jemi të thirrur për ta bërë këtë. Ligji e thotë qartë që e kanë obligim t’i paguajë shteti. Edhe populli ka filluar ta kuptojë që nuk është faji te sindikatat por te Qeveria”, tha ai.