Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se viti i ri shkollor rrezikon të fillojë sërish me probleme, “pa fajin e SBASHK-ut dhe të mësimdhënësve”.
Ai ka thënë se ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që t’i sigurojë tekstet e reja nga klasa e parë deri në të nëntën, për t’i shmangur dallimet mes nxënësve. Kësisoj, sipas Jasharajt, një tekst i ri do të ishte një dhuratë e shtetit për nxënësit dhe fillimin e mbarë të vitit shkollor.
Megjithëse ende nuk i ka shifrat e sakta, Jasharaj ka thënë se komunat e vogla i kanë “disi të shuara libraritë” dhe se qytetarët në këto komuna orientohen në komunat e tjera më të mëdha për t’u pajisur me libra.
Sipas kryetarit të SBAShK-ut, po të ishte hera e parë, do t’i falej MASHT-it, por, duke parë se çfarë ndodhi vitin e kaluar, “një MASHT serioz nuk duhet ta bënte përsëri gabimin e vitit të kaluar”.
“Në javën e ardhshme do të kemi një takim me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve, sepse ata do të kenë kohë të marrin raporte më të detajuara për përgatitjet. Megjithatë, frikësohem se do të na përsëritet viti i kaluar shkollor me mungesë të teksteve dhe mund të ketë ndonjë shkollë që nuk do të fillojë më një shtator për shkak të renovimeve të vonuara. Ne do ta kemi atë shifër më vonë”.
“Libraritë mund të mos i kenë ende librat, pastaj komunat e vogla tregojnë se i kishin të shuara disi libraritë. Për shembull, qytetarët e Istogut dhe të Klinës orientoheshin në Pejë për libra dhe zonja Nagavci duhet ta dijë se jo të gjithë janë ministra. Këto përpjekje duken si një mbrojtje e buxhetit, por kjo nuk është e saktë, sepse buxheti nuk mbrohet. Ju po ua shpërndani votuesve, ndërsa ne ua shpërndajmë prindërve. Më mirë do të ishte që zonja Nagavci të formonte një komision me botuesit dhe ata të merrnin obligimin që të dërgonin librat në shkolla me kohë. Mësimdhënësit do ta bënin shpërndarjen e librave te nxënësit me kënaqësi dhe të gjithë do të ishin të barabartë”.
Jasharaj ka theksuar se nga mos-sigurimi i teksteve shkollore, procesi mësimor do të dëmtohet dhe nuk do të realizohen të gjitha objektivat. Përveç kësaj, subvencionimi sipas tij, bën dallime edhe në mes të nxënësve.
“Unë i kam kërkuar zëvendësministrit Taulant Kelmendi që nëse qeveria nuk ka para për laptop ose projektorë, të sigurohen të paktën tekste të reja nga klasa e parë deri në të nëntën, për të shmangur dallimet dhe për të mos e ndjerë keq nxënësin që merr tekstin e vjetër. Le të jetë një tekst i ri si një dhuratë e shtetit për fillimin e mbarë të vitit shkollor. Nuk është bërë kjo, dhe për pasojë viti shkollor do të fillojë me probleme, pa fajin e SBASHK-ut dhe të mësimdhënësve. Ata do të ndihen shumë keq duke parë që një pjesë e nxënësve nuk arrijnë të kenë tekste, dhe do të jenë në mëdyshje nëse të fillojnë me shpjegimin e njësive të reja apo të presin. Nëse presin, procesi mësimor do të dëmtohet dhe nuk do të realizohen të gjitha objektivat”, u shpreh Jasharaj.
“Po të ishte hera e parë, do t’i falej MASHT-it, sepse mund të kishin menduar se do të dilte puna më mirë. Por, duke parë se çfarë ndodhi vitin e kaluar, një MASHT serioz nuk duhet ta bënte përsëri gabimin e vitit të kaluar”, ka thënë ai për EO.