Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se do të hyjnë në grevë të përgjithshme.
Gjatë vizitës me këshillin grevist të BSPK-së në çerdhen “Yllkat”, ai tha se nga qeveria kanë kërkuar ndarjen prej 100 eurove, por siç tha ai, qeveria i ka injoruar.
“Kërkesa për 100 euro ka rrjedhë sa i përket ligjit të pagave. Nuk kemi shkuar në shuma të tjera. Sepse janë 86 mijë të punësuar në sektorin publik. Do të ishte shenjë simbolike në këtë kohë krizë. Jemi të bindur se shteti do ti ndante 100 euro sepse ka buxhet. Edhe këtij 100 euro shteti i ka thënë jo dhe po mundohet të injorojë kërkesat e sindikatave”.
Tutje, ai tha se nuk e kanë ndërmend që të dorëzohen, derisa Qeveria t’i plotësojë kërkesat e tyre.
“Qeveria me dashtë mund t’i realizojë kërkesat tona e jo të vajtojë që po mbesin fëmija rrugëve, po mbesin pa shkolla, e qytetarë pa e nxjerr një dokument. Qeveria le të ulet me ne, le të arrijë një marrëveshje të pranueshme, situata do të qetësohet. Nëse jo, në rrugë të Zotit jemi dhe s’kemi pas rrugë tjetër”.
“E di qysh ndjeheni edhe ju edhe mësuesit tanë, por s’kemi pas rrugë tjetër. Të dorëzohemi nuk e kemi ndërmend, prandaj e kemi zgjedhur rrugën tjetër që na thotë ligji, të shkojmë në grevën e përgjithshme. Ne s’do të lëshojmë pe, po ju betohem këtu para mediave. Uroj që qeveria të këndellët dhe të fillojë me zgjedhjen e kërkesave tona që janë legjitime”, tha Jasharaj,