Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë për Ekonomia Online se mësimdhënësit e kanë menduar një grevë njëorëshe me fillimin e vitit të ri shkollor.
Kreu i SBAShK-ut ka thënë se kjo kërkesë e tyre ka ardhur pasi Qeveria Kurti nuk i ka plotësuar kërkesat që i kanë shpalosur më 1 maj. Si rrjedhojë, Jasharaj deklaroi se punëtorët e arsimit janë të pakënaqur.
“Ne shpesh i mbajmë mbledhjet online me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve sepse ata janë çdo ditë janë në shkollë dhe janë përditë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarë të shoqatave, punëtorët e arsimit janë të pakënaqur dhe ata po kërkojnë ose dialog e zgjidhje të kërkesave ose të mendohet për veprime sindikale. Ajo që u debatua mbrëmë, ishte që të shohim bashkë me kolegët tanë që një orë që ende data nuk është caktuar, mos të jetë orë e rregullt mësimore por të jetë një orë e cila e shpreh mllefin, pakënaqësinë dhe me nxënësit të bisedohet dhe besoj se nxënësit mesazhin do ta dërgojnë pastaj në shtëpitë e tyre dhe kjo krejt bëhet që Qeveria ka mjaftë kohë dhe ne presim që të ulemi dhe të bisedojmë dhe t’i zgjidhim problemeve që i kemi”, ka thënë Jasharaj.
Ndonëse kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të vitit të ri shkollor, Jasharaj ka thënë se ky vit ka nisur keq, si shkak i vendimit për tekstet shkollore.
“Të themi të vërtetën, ky vit fatmirësisht nuk ishte i përcjellë me greva por filloi keq. Me një vendim të keq të zonjës Nagavci lidhur me tekstet shkollore. Kjo forma që e bëri për herë të parë e duket që ka lidhë inatin dhe do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm shkollor, bëri që ky vit të fillojë me vështirësi. Shtatori kishte shkuar më shumë duke u sfiduar mësimdhënësit se a të fillojnë shpjegimin e njësive të reja apo çka të bëjnë, ngase ishin përballur me një situatë të re kur një pjesë e madhe e nxënësve nuk kishte arritur që në shtator t’i sigurojë tekstet shkollore dhe kjo pastaj vazhdojë edhe në muajin tetor. Ishte një vit goxha i nisur keq, goxha i vështirë, i mbyllur. Edhe pse ne jemi duke biseduar me kolegët tanë kudo, ata janë tepër të pakënaqur dhe tu them të vërtetën kemi pritur dialog, i cili ka munguar në tërësi dhe ky vit ka shkuar pa asnjë takim ndërmjet SBAShK-ut me zonjën Nagavci, edhe përkundër letrave”, u shpreh Jasharaj.
Kryesindikalisti ka deklaruar se Qeveria Kurti shuarjen e zërit sindikal. Kryeministrin Kurti e ministrat Nagavci e Murati, i quan si “armiq të sindikatave”.
“Kjo Qeveri e ka barrikaduar dhe e ka mbyllur e injoruar në total dialogun dhe si shembull i kësaj është njeriu më shembullkeq Hekuran Murati, i cili u bë një vit e më shumë që e ka bllokuar edhe Këshillin Ekonomiko-Social ku së paku debatonin sindikatat, qeveria e sektori privat. Ky Këshill nuk funksionon fare. Kryeministri Kurti por jo vetëm, por edhe Hekuran Murati dhe zonja Nagavci, do të mbahen mend nga mësimdhënësit dhe të tjerët si armiq të sindikatave në Kosovë, si njerëz që e kanë shfrytëzuar mundësinë e pushtetit që t’i shuajnë sindikatat, por fatkeqësisht SBASHK-un nuk kanë arrit ta shuajnë”, ka thënë Jasharaj.