Rrahman Jashari, kryetar i SBASHK-ut, tha se Qeveria Kurti ka mohuar mundësinë për të biseduar, prandaj sipas tyre zgjidhje e vetme është greva e përgjithshme.
Jashari tha se kanë dërguar edhe ndërmjetësues ligjor që të mos ketë nevojë për ndonjë grevë të mundshme.
“E kemi dërguar ndërmjetësuesin ligjor, me shpresë që Qeveria do të thotë po dhe do të ulemi për të biseduar. Mirëpo, Qeveria Kurti e mohoi edhe këtë mundësi dhe na solli në një situatë ku nuk kemi zgjidhje tjetër, sepse ligji për grevat nuk parasheh ndonjë mundësi tjetër”.
“Ne jemi angazhuar të mos vijmë tek greva, duke dërguar letra tek secili institucion, kemi dërguar edhe ndërmjetësues, duke bërë edhe veprime të përshkallëzuara, pra me të vetmin qëllim të ulemi e të bisedojmë, të bëjmë zgjidhje për kërkesat tona e të mos ketë nevojë për grevë të përgjithshme”, tha Jashari në TV1.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit tashmë ka dhënë paralajmërimin e saj për një grevë të mundshme në fillim të muajit shtator, për këtë çështje ministrja Nagavci një paralajmërim të tillë e ka quajtur kërcënim.