Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se kanë pasur shumë vështirësi në qasjen në informata tek dëbimi i gjashtë qytetarëve turq.
“Me dëbimin e tyre janë shkelur të drejtat themelore. Kosova me kushtetutën i ka të garantuara të drejtat e njeriut, me vendimin e saj ajo ka shkelur të konventat ndërkombëtare”, tha ai sot në televizionin publik.
Sipas tij gjykata është ajo që merr e fundit vendimin për revokim të lejeve.
“Ligji i jonë garanton të drejtat të njeriut. Në fillim me procedurë ndërkombëtare, kurse më vonë në procese gjyqësore”, theksoi ai.
Jashari deklaroi se Konventa e vitit 1951 i garanton të drejtat e njeriut.
Ndryshe ai ka folur edhe për raportin. Avokati i Popullit, në bazë të nenit 135, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 29, paragrafit 1 dhe 2, të Ligjit nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, i ka dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, Raportin e shtatëmbëdhjetë vjetor.
“Raportimi vjetor i IAP-së, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është pasqyrim i gjendjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, përgjatë vitit raportues, si dhe reflektim i punës dhe rolit të Avokatit të Popullit, si mekanizëm i pavarur kushtetues, në mbikëqyrjen dhe vlerësimin e punës së autoriteteve publike, përkitazi me respektimin e ligjeve, ofrimin e shërbimeve, miradministrimin, transparencën dhe llogaridhënien”, tha ai.
Jashari bëri me dije se raporti përmban gjetjet e Avokatit të Popullit gjatë vitit 2017, lidhur me rastet e shkeljeve sistematike dhe individuale të lirive dhe të drejtave të njeriut, rekomandimet, opinionet, si dhe propozimet për ndërmarrjen e masave, që kontribuojnë në ngritjen e respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe aktivitetet e institucionit, në drejtim të promovimit dhe edukimit për të drejtat e njeriut.
Avokati i Popullit mirëpret shqyrtimin e Raportit vjetor nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancë plenare, sikurse është e paraparë në nenin 29, paragrafi 3, të Ligjit nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit.