Institucioni i Avokatit të Popullit në konferencën e fundvitit të organizuar për media kanë bërë prezantimin e të dhënave për vitin 2016 me rastin e përmbylljes së vitit kalendarik 2016.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka thënë se puna në publikimin e rekomandimeve për institucionet publike të Kosovës, ka qenë një ndër punët më të rëndësishme të këtij viti.
“Këtë vit 200% publikimet e rekomandimeve kanë qenë më të mëdha sesa vitin e kaluar dhe kemi pasur numër të madh të rasteve me vetiniciativë ku krahasuar me vitin e kaluar është 90% më e madhe. Kemi disa raste ‘Ex Officio’ si hetimi i veteranëve ku përfshin 46 mijë persona. Pra vetëm në rastet ‘Ex Officio’ kemi shifër më të madhe”, tha ai.
Majlinda Lulaj zëdhënëse në Institucionin e Avokatit të Popullit prezantoi të gjeturat ku tha se raportet për rastet e hetuara nga ankesat e qytetarëve janë 17, për rastet Ex Officio janë 12, letra me rekomandime janë 8, rekomandime në raporte dhe në letra me rekomandime janë 173, raporton Ekonomia Online.
Shqipe Mala zëvendëse e avokatit të popullit ka bërë të ditur se është nënshkruar mekanizmi kombëtar për parandalimin e torturës.
“Për vitin e ardhshëm kemi ndërtuar një plan ku do të merremi me çështjen e refugjatëve dhe azilkërkuesve në Kosovë dhe do të bëjmë monitorime në të gjitha stacionet në Kosovë ku do të dalim me një raport të veçantë pasi që pretendohet që po iu shkelen të drejtat”, tha ajo.