Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë, Kolegji AAB në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin AAB dhe Universitetin “Dokuz Eylül”nga Izmiri i Turqisë, sot dhe nesër do të mbajnë trajnime në temat “Kujdesi infermieror në kujdesin intensiv” si dhe “Kujdesi infermieror i bazuar në dëshmi”, organizuar nga Qendra e karrierës dhe të mësuarit gjatë tërë jetës.
Këto trajnime janë të akredituara nga Bordi për Edukim të Vazhdueshëm Mjekësor nga Ministria e Shëndetësisë.
Me rastin e hapjes solemne të këtyre trajnimeve, zv.rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, në fjalën e tij përshëndetëse u uroi mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve dhe tha se këto trajnime janë në përputhshmëri të plotë me konceptet zhvillimore akademike që promovon Kolegji AAB, jo vetëm për studentët e Fakultetit të Infermierisë, por edhe për studentët e të gjitha programeve studimore të cilat ofrohen në AAB.
“Ky trajnim është vazhdimësi që dëshmon seriozitetin që tregon Kolegji AAB, duke trajtuar seriozisht rëndësinë që ka edukimi cilësorë dhe duke siguruar që kualifikimet akademike të jenë të ndërlidhura me zhvillimin e shkathtësive praktike të punës”, tha zv.rektori Vehapi.
Ai tha se, Kolegji AAB është shembulli më i mirë i organizimit të mësimdhënies ku sigurohet lidhja në mes të fitimit të njohurive, zhvillimit të shkathtësive për punë dhe bartjes së tyre në nevojat e përditshme të praktikës profesionale, koncept i cili promovohet nga qasja më moderne e mësimdhënies.
“Jemi të vetëdijshëm se ndër faktorët e shumtë që kontribuojnë në cilësinë e shërbimeve shëndetësore, ka të bëjë me kompetencat e personelit shëndetësorë ku rol të rëndësishëm luajnë edhe infermierët. Infermieria është një profesion me ndikim të fuqishëm në shërbimin publik. Profesioni i infermierisë është një profesion që po ndryshon dita ditës edhe duke e zgjeruar dhe pasuruar fushën e vet të njohurive”.
Sipas zv.rektorit Vehapi, faktor kyç në avancimin e këtyre kompetencave është edhe ngritja dhe funksionimi i sistemit të edukimit të vazhdueshëm të punonjësve të shëndetësisë.
“Në këtë këndvështrim, trajnimi dhe edukimi i vazhdueshëm mjekësor paraqet element kyç në përgatitjen e infermierëve të cilët do të implementojnë praktikat e specifikuara në infermieri. Kërkesa për njohuri të reja është rritur me avancimin e teknologjisë dhe kërkimit shkencor. Sigurisht që sot, të jesh një infermier i mirë, duhet të jesh edhe një vëzhgues dhe hulumtues i mirë, që i ndjek risitë profesionale me hapin e kohës”, tha zv.rektori i Kolegjit AB, Shemsedin Vehapi.
Ndërsa, zv.ministri i Ministrisë së Shëndetësisë Izet Sadiku, në fjalën e tij e përshëndeti këtë trajnim që po mbahet në Kolegjin AAB, dhe tha se konsideron që trajnimi i sotëm do të vë në spikatë dëshirën dhe gatishmërinë e komunitetit të infermierisë për të pasur udhëheqës.
Ai përgëzoi infermierët e Kosovës, duke thënë se ky komunitet janë pjesa më e organizuar në institucionet shëndetësore në vend.
“Ky komunitet e meriton pozitën, të cilën sot është duke e marrë në institucionet shëndetësore . [..] ODA e Infermierëve të Kosovës është ODA më e mirë e organizuar dhe është ODA që ka arritur të marrë të gjitha kompetencat në raport me odat e tjera të shërbimeve shëndetësore në vend”, tha zv.ministri i MSh, Izet Sadiku.
Ndërkaq, Dekani i Fakulteti të Infermierisë të Kolegjit AAB, Idriz Sopjani, ne fjalën e tij, i informoi të pranishmit për “Qendrën e karrierës dhe të mësuarit gjatë tërë jetës”, qendër kjo që funksionon në kuadër të Institutit AAB.
“Qendra organizon trajnime për profesionistë të kujdesit shëndetësorë, që kërkojnë njohuri të reja plotësuese profesionale. “Qendra e karrierës dhe të mësuarit gjatë tërë jetës” ofron seanca të ndryshme këshilluese, seminare, kurse trajnimi, punëtori, simpoziume dhe konferenca; gjithashtu harton dhe implementon projekte shkencore, të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin e infermierisë në Kosovë”, njoftoi dekani Sopjani.
Ai tha se kjo qendër ka për synim të promovojë dhe të shtyjë përpara edukimin e vazhdueshëm profesional në fushën e infermierisë, duke përfshirë edhe trajnime të veçanta rreth temave të rëndësishme në fushën e infermierisë.
“Instituti AAB ka bërë akreditimin e programit për edukim të vazhdueshëm profesional ‘EVP Infermieror’ pranë Bordit për Edukim të Vazhdueshëm Mjekësor të Ministrisë së Shëndetësisë me gjithsej 100 pikë kredituese. Qëllimi i këtyre trajnimeve është mundësimi i rilicencimit të të gjithë profesionisteve infermierorë në Kosovë, si dhe ofrimi i informacioneve më të reja nga fusha e Infermierisë dhe kujdesit shëndetësor”, theksoi dekani Sopjani.
Ai shtoi se përmes këtij programi, synojnë të arrijnë nivelet e shërbimeve evropiane në sektorin e kujdesit infermieror, por edhe të përmbushin kërkesat e kohës në mbështetje të kujdesit ndaj pacientit.
Fjalë rasti në hapjen e solemne të këtyre trajnimeve mbajti edhe Prof. Fatma Vural nga Universiteti “Dokuz Eylül” nga Izmiri i Turqisë, e cila tha se ndihet mjaft e kënaqur me pritjen si dhe me bashkëpunimin që i ka ofruar Kolegji AAB.
Të pranishmit në hapjen e këtyre trajnimeve i përshëndetën edhe kryetari i Bordit për Licencim në MSH, Hysni Bajrami, kryetari i Odës së Infermierisë së Kosovës, Naser Rrustemi si dhe Koordinatorja Nacionale e infermierisë SHSKUK, Lirije Beqiri.