Java e jashtëzakonshme apo e zakonshme

Prishtinë | 19 Maj 2024 | 20:13 | Nga Bekim Çollaku

E diela e qetë e tradhton vazhdimisht kryeqytetin tonë jashtëzakonisht të zhurmshëm. Java që fillon nesër do të mund të jetë e jashtëzakonshme për shumë arsye. Por, ajo gjithashtu mund të mbetet vetëm një javë tjetër e zakonshme. Pse mendoj që mund të jetë një javë e jashtëzakonshme?

Java që lamë pas solli zhgënjim dhe dështim për Kosovën dhe të gjithë ne. Një punë e mirë që është bërë për vite me radhë për ta anëtarësuar Kosovën në Këshillin e Evropës, përkohësisht u përmbyll me dështim. Ky dështim nuk ndodhi për shkak se kundërshtarët e pavarësisë dhe shtetit të Kosovës ishin më të fuqishëm se ne, mirëpo për shkak të mungesës së koordinimit të institucioneve tona shtetërore me partnerët tanë perëndimor. Në fakt, letrat e çuditshme, deklaratat e pamatura dhe skandaloze të qeveritarëve tanë, na zbuluan edhe një të keqe tjetër që mbase disa nuk e kanë ditur. Lere që kishte mungesë koordinimi me partnerët ndërkombëtarë, mirë doli se nuk kishte koordinim as përbrenda institucioneve tona shtetërore. Në rrethana të tilla, dështimi është i pashmangshëm. Vetëm ky fakt mjafton për ta bindur secilin që ende ka hezitime se Kosova ndodhet në një situatë të rëndë në relacion me partnerët tanë strategjikë mbi të cilët vazhdimisht bie barra e forcimit të sovranitetit tonë, dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Sigurisht, të gjithë jemi të vetëdijshëm se Kosova nuk qëndron aspak mirë as në aspektin e brendshëm. Inflacioni i lartë dhe rritja enorme e çmimeve, jo vetëm që e kanë rritur koston e jetesës, mirëpo për një pjesë të madhe të qytetarëve tanë, e kanë vështirësuar tej mase atë. Sektori publik, shërbyesit civil, policët, ushtarët, mësuesit, mjeket etj., që janë kurrizi i mbajtjes së shtetit, për më shumë se një dekadë nuk kanë marrë paga me rritje. Llogaritë bankare të tyre kanë pak shifra vetëm në fillim të muajit, por zbrazën shpejt.

Ndërsa gjendja e pensionistëve te të gjitha kategorive mbetet e mjerë. Si rezultat, vazhdon trendi i largimit i heshtur i të rinjve tanë për një jetë më të mirë diku larg Kosovës. Si përfundim, jemi në një situatë të rëndë si shtet dhe si shoqëri. Prandaj, një rifillim ri në kuadër të ripërtëritjes demokratike konsiderohet i domosdoshëm.

Këtë javë, një mocion për shpërndarjen e kësaj legjislature të kuvendit të Kosovës pritet të diskutohet nga të zgjedhurit e popullit. Pa dallime partiake, deputetet do të jenë para dilemës se a të votojnë në favor apo kundër këtij mocioni. Për shumë nga deputetët ky ka qene mandati i parë i tyre, e për shumë të tjerë puna e zakonshme qe e kanë bërë për gati dy dekada. Disa nga ata mund të mendojnë se nëse e votojnë mocionin, ndoshta rrezikojnë të mos bëhen kurrë më deputetë. Disa të tjerë që mbase janë mërzitur duke e bërë këtë punë që dy dekada me radhë, mund ta kuptojnë se jeta e tyre mund të vazhdoj edhe duke bërë ndonjë gjë tjetër në jetë. Në secilin rast, të zgjedhurit e popullit duhet për një çast të mendojnë për disa nga hallet e popullit të listuara më lart dhe të marrin një vendim racional për të ardhmen tonë.

Gjatë kësaj jave, kryeministri Kurti do të ketë mundësi ta mbaj së paku një premtim të vetëm publik në gjithë mandatin e tij. Ta mbaj fjalën e dhënë publike se do ta ndihmoj opozitën me votat e partisë së tij për shpërndarjen e kësaj legjislature dhe të krijoj kushtet për zgjedhje të jashtëzakonshme demokratike. Të njëjtën mundësi do ta kenë edhe partitë opozitare të cilat me ngulm, së paku verbalisht kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Sigurisht, kushtëzimi i disa prej tyre për ta poshtëruar kryeministrin Kurti duke i kërkuar atij dorëheqjen, nuk është aspak i sinqertë. Në një situatë kur zgjedhjet e jashtëzakonshme konsiderohen si të domosdoshme për të nxjerr vendin nga kriza e rëndë socio-ekonomike dhe politike, kushtëzimet e kësaj natyre janë thjesht hipokrizi. LDK dhe AAK nuk mund të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe njëkohësisht të thonë se e votojnë mocionin për shpërndarjen e kuvendit vetëm pas dorëheqjes së kryeministrit. Ata e dinë se ky qëndrim është qesharak dhe i pakuptimtë, sepse kërkesa e tyre përkthehet në dy skenarë krejtësisht të ndryshëm në praktikën dhe legjislacionin tonë parlamentarë. Nuk po e sqaroj më tutje sepse është e kuptueshme dhe nuk kam qëllim të fyej njohuritë e tyre dhe as të lexuesve të këtij shkrimi. Ndërsa, shpresoj që PDK nuk do ndryshoj në momentin e fundit qëndrimin e tyre publik në favor të këtij mocioni. Si përfundim, kjo krizë kërkon një përgjigje të unifikuar nga të gjitha partitë parlamentare. Duke mbështetur këtë mocion për shpërndarjen e kësaj legjislature dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, deputetët do të demonstrojmë se interesat e Kosovës dhe të qytetarëve të saj janë përpara interesave partiake. Një veprim i tillë i përbashkët do të tregojë përgjegjësinë tonë si shoqëri demokratike, si liderë dhe përfaqësues të popullit.

Një moment tjetër tepër rëndësishëm për shtetin tonë dhe historinë tonë pritet të ndodhë gjatë javës në Hagë. Në procesin maratonik, paneli gjykues në rastin kundër ish Presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Veseli dhe Krasniqi, dhe ish-deputetit Selimi ka paralajmëruar mbajtjen e një seancë në të cilën do shqyrtohet mbarëvajtja e procesit dhe mbase do të mund të vendosen edhe afatet strikte qoftë ndaj prokurorisë apo ekipeve të mbrojtjes, për ta vendosur këtë proces kompleks dhe kontravers në një trajektore që dërgon drejt përfundimit. Paneli i gjykatësve është i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre në relacion me publikun e gjerë në Kosovë dhe me të pandehurit që për gati katër vite mbahen të paraburgosur në Hagë. Duke mos paragjykuar vendimet e tyre, ne kemi të drejtë të kërkojmë transparence të plotë dhe përfundim të këtij procesi brenda një periudhë të arsyeshme kohore. Kredibiliteti i gjykatës dhe i këtij procesi varet nga vendimet e këtij paneli dhe ne me durim do të presim ato.

Pra, përpara kemi një javë të jashtëzakonshme e cila mund të hap dritare dhe perspektiva të reja për Kosovën. Por, lehtë mund të mbetet vetëm një javë tjetër e zakonshme dhe e zhurmshme. Shpresoj se do të përmbushet e para dhe jo e dyta, sepse do të ishte një mundësi e çuar dëm.

Të ngjashme