Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka diskutuar lidhur me shënimin e Javës së Personave të Pagjetur në Kosovë.
Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit, njëherësh mbajtës i dosjes për çështjen e personave të zhdukur, tha se para disa ditëve zyra e kryeministrit ka bërë një raport të detajizuar për aktivitetet lidhur me çështjen e të pagjeturve, raporton Ekonomia Online.
“Prioritet i qeverisë është zbardhja e fatit të njerëzve që nuk janë në mesin tonë. Duhet me pasë të qartë që ne ndoshta nuk do të mundim asnjëherë të zbardhim fatin e të gjithë të pagjeturve, mirëpo ne nuk do të ndalemi ashtu siç nuk do të ndalet shpresa e vullneti ynë. Këto ditë ishim edhe në Krushë edhe në vendet tjera. Kemi përpiluar edhe një agjendë për javën e të zhdukurve, e cila fillon me datë 23. Jam i interesuar ta përfundojmë këtë storje. Te çështja e të pagjeturve të gjithë trajtohen njëjtë. Kemi pasë takim me familjarë, me serbët e zhdukur dhe kemi premtu që të gjithë që e respektojnë ligjin e Kosovës do të trajtohen barabartë. Për ligjin mund të them që është lëshim shumë i madh ndalesa e pensionit. Ligji do të vijë shpejt në Kuvend, sepse jemi në bashkëpunim me ministrinë. Unë jam idhtar i asaj që familjarët të kenë prioritetet e njëjta me veteranët”.
Ai tha se do të insistohet që dialogu për të zhdukurit të kalojë në nivel më të lartë.
“Ne do të insistojmë që dialogu për të zhdukurit të kalojë nga delegacioni i dy shteteve në nivel më të lartë. Në delegacion është një përfaqësues i UNMIK-ut dhe nuk jemi të kënaqur, sepse ne si Kosovë nuk e njohim. Në Krushë ka ndodhë një gjë që nuk është dashtë me ndodhë, janë nxjerrë tri mbetje mortore nga EULEX-i dhe nuk janë kthy që një vit, ne kemi bisedu me përgjegjësit dhe shpejt do të kthehen atje. Ne bashkëpunim me Serbinë nuk kemi fare. Jemi tu bisedu por nuk ka diçka konkrete. Gabimi i qeverisë dhe i institucioneve është që nuk ka ngritë padi për gjenocid. Kemi fakte dhe dokumentacione. Duhet një grup ta marrë iniciativën”, tha ai.
Kryetarja Duda Balje tha se në mediat e Beogradit është thënë se në Bajtanicë po ndërtohet një kishë mbi varreza masive, ndërkaq ajo kërkoi që të bisedohet me Serbinë dhe të ndalohet një akt i tillë, raporton EO.
“Bajtanica ka varrezë masive mirëpo në Beograd është vendosur që në atë vend të ndërtohet një kishë. Ka informata 100% të sakta që ka më shumë se 100 trupa atje. Do të duhej të stopohej ndërtimi i asaj kishe”, tha ajo.
Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, tha se lidhur me varrezat masive në Batajanicë duhet të dihet saktë vendi se ku është varreza.
“Duhet të dihet saktë në cilën pjesë është ajo varrezë masive. Për ne është me interes me ditë se ku janë ato varreza. Ka qenë iniciativë e familjarëve të vendosen pllaka në vendet ku ka pasë gjetje. Ne kërkojmë që politika me ndihmu dhe jo me pengu. Unë mendoj që institucionet tona e kanë këtë qëllim, mirëpo Serbia politizon gjithçka. Ndërkaq për ligjin për personat të zhdukur tha se ato defekte që kanë qenë në ligjin e mëparshëm të ndryshohen”, tha ai.
Deputetja Teuta Haxhiu tha se do të duhej të dilej me propozime më konkrete lidhur me gjetjen e personave të zhdukur.
“Meqenëse po i afrohemi datës 27 prill, i takon Kuvendit që të organizojë një konferencë apo çkado qoftë që java të ketë nismë nga Kuvendi. Ne fatkeqësisht nuk kemi bërë diçka në kuptimin e ndryshimit të ligjit dhe kjo nuk është mirë as për neve si komision dhe duhet që ne ta ndryshojmë këtë ligj, sepse familjarët vazhdimisht e kërkojnë këtë. Është fillu me u plotësu dhe ndryshu ligji, mirëpo nuk ka diçka konkrete. Para familjarëve është dashtë të dalim me diçka konkrete që kemi bërë. Në kompleksin memorial “Meja” është ndarë një buxhet që për fat të mirë punimet kanë ecur mirëpo nuk janë përfundu. Kjo është një brengë e familjeve dhe e jona”.
Luljeta Veseli tha se pjesë e dialogut me Serbinë do të duhej të ishin edhe familjarët e të pagjeturve.
“Përpjekjet kanë qenë të mëdha për çështjen e të pagjeturave, por rezultatet nuk janë të dukshme. Unë kam kërkuar që pjesë e dialogut me Serbinë të jenë prezent edhe familjarët e të pagjeturve. Familjarët të cilët kanë rënë në luftë nuk duhet të quhen viktima të luftës mirëpo duhet të quhen martirë”, tha ajo.
Deputeti Andin Hoti tha se çështja e të pagjeturve duhet të ketë një epilog.
“Nuk na bëjnë nderë mendimet hipotetike. Unë konsideroj dhe e di që nuk jemi në bashkëpunim me Serbinë por duhet të gjejmë një formë dhe të ndalojmë një ndërtim të tillë, sepse është krim ndaj njerëzimit. Në çështjen e të zhdukurve duhet të kemi unitet dhe jo ndasi. Duhet të kemi edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Unë jam shumë i vendosur që çështja e të zhdukurve të jetë edhe në dialogun me Serbinë, sepse kjo çështje duhet të ketë epilog”, tha ai.