Më së largu deri javën e ardhshme në Kosovë, pritet të vijnë edhe dy kontingjente me vaksina, nga marrëveshja që Kosova e ka nënshkruar me Pfizer dhe nga asistenca e BE-së.
Kjo gjë është konfirmuar për Express, nga Ministra e Shëndetësisë, teksa aktualisht në vend është duke u zhvilluar procesi i vaksinimit me dozën e dytë të vaksinës.
“Javën tjetër, nëse jo edhe me herët, do të vijnë vaksina nga marrëveshja MSh-Pfizer, por edhe nga asistenca e Bashkimit Evropian për Kosovën me vaksina kundër COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
E procesi i vaksinimit sipas MSh-së është duke vazhduar edhe me dhënien e dozës së dytë të vaksinës. Të pyetur se a kanë doza të mjaftueshme për të dhënë dozat e dyta, nga ministria që udhëhiqet nga Arben Vitia janë përgjigjur pozitivisht.
“Po, ka dhe secili që e ka marr dozën e parë e ka mundësinë që ta marr edhe dozën e dytë”, thuhet më tutje në përgjigje.
Gjatë kësaj jave, edhe Norvegjia ka njoftuar se do t’i dal në ndihmë Kosovës me vaksina. Nga ky shtet është njoftuar se për Kosovën janë ndarë 180 mijë doza të vaksinës Astra Zeneca.
Ministria e Shëndetësisë, tashmë ka filluar edhe përgatitjet teknike për pranimin e këtyre vaksinave.
“MSh është duke i bërë përgatitjet teknike te nevojshme për pranimin e vaksinave donacion nga Norvegjia. Bëhet fjalë për 180 mijë doza”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e MSh-së, për Express, teksa shtuan se nga java e ardhshme procesi i vaksinimit do të jetë edhe më dinamik.
Për ardhjen e këtyre vaksinave në Kosovë, dje është deklaruar edhe anëtari i Komisionit për Shëndetësi, nga PDK-ja, Bekim Haxhiu.
Ai ka thënë se një pjesë prej mbi 180 mijë vaksinave të AstraZenecas që Norvegjia ia ka dhuruar Kosovës, i skadon afati për vetëm shtatë ditë.
Sipas tij ky është një mashtrim i radhës i Qeverisë Kurti, teksa ka shtuar se vaksinat e AstraZenecas, Norvegjia i ka larguar nga përdorimi.
Në ndërkohë nga 15 qershori në Kosovë ka filluar vaksinimi masiv.
Vaksinat e fundit që kanë ardhur në Kosovë, janë 10 mijë vaksinat e dhuruara nga Kroacia me 10 qershor.
Para këtij kontingjenti, më 27 maj në Kosovë kanë arritur edhe 100,620 vaksina falë Aleancës Gavi të COVAX.
Ardhje të vaksinave në Kosovë, pati edhe me 12 maj të këtij viti. Në këtë ditë Kosova pranoi 38.400 vaksina nga Covax.
Më 4 maj Kosova pati pranuar edhe 4680 vaksina nga donacioni i BE-së, teksa vaksinat e para që pranoi Kosova ishin 24 mijë copa nga Astra Zeneca, më 28 mars.
Kosova poashtu me 28 maj ka blerë edhe 1.213.290 vaksina në marrëveshjen me Pfizer.
Nëse i llogaritim këto shifra, shohim se nga ardhja e kontingjentit të parë me vaksina në Kosovë, janë siguruar gjithsej 177 mijë e 700 vaksina.
Në ndërkohë me dozën e parë janë vaksinuar 149 mijë e 121 qytetarë dhe me të dytën janë vaksinuar 25 mijë e 158 qytetarë, e që në total i bie 174 mijë e 279 vaksina të shpenzuara.
Sipas një përllogaritje i bie që Kosova i ka në dispozicion vetëm edhe 3 mijë e 421 vaksina.
Vetëm brenda 24-orëve të fundit në Kosovë, 4 mijë e 439 qytetarë e kanë marr vaksinën kundër Covid-19.
Për sa i përket gjendjes epidemiologjike, gjatë 24-orëve të fundit, nga 1.764 testime, 14 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-1, si dhe janë shënuar dy raste të vdekjes.
Sot janë shëruar 6 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 105.280. E në total numri i rasteve aktive është 171.
Aktualisht me numrin e rasteve aktive me koronavirus është duke prirë qyteti i Gjilanit me 33, i pasuar nga Mitrovica me 27 raste aktive, Prizreni me 22, Ferizaj me 20, Lipjani me 16, Peja me 12, Prishtina me 11 dhe të tjera.