Ramush Haradinaj ende nuk është njoftuar zyrtarisht se një vendim i tij ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim nëse i njëjti është në përputhje me aktin më të lartë juridik. Vendimin e Haradinajt për t’u dhënë komunave kompetenca të nivelit qendror Komunave në Gjykatë e ka dërguar Presidenti Hashim Thaçi. Ky i fundit ka thënë se me këtë është rrezikuar Siguria Kombëtare dhe ka nisur zbatimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Këshilltari i Haradinajt, Avni Arifi, ka thënë se gjatë javës do të merren me këtë temë.
Hashim Thaçi e ka heshtur gjithë Qeverinë e Kosovës. S’po kanë përgjigje ndaj një nisme të Presidentit për ta shfuqizuar një vendim të Ramush Haradinajt për t’ua dhënë komunave pronat e Agjencisë së Privatizimit.
Në Zyrën e Haradinajt kanë thënë se tek javën e ardhshme do të merren me këtë punë.
“Nuk jemi në dijeni për këtë padi, por gjatë javës së ardhshme do të shqyrtohet kjo çështje”, ka thënë Avni Arifi për Express.
Thaëi ka vendosur që ta ëojë në Kushtetuese vendimin e Kryeministrit, i cili ua lejon komunave serbe e shqiptare të menaxhojnë me prona të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Ai këtë e ka quajtur veprim antikushtetues dhe ka kërkuar që të anulohet.
Vendimi i Qeverisë për t’ua dhënë pronat e AKP’së komunave veriore është marrë në fillim të këtij muaji. Rrjedhimisht, ato prona më nuk mund të privatizohen por do të përdoren për nevojat e këtyre komunave.
Shefi i Shtetit ka thënë se me këtë vendim të Qeverisë ka nisur të themelohet Republika Srpska ku komuniteti serb ka kompetenca bllokuese dhe ekzekutive për disa fusha në shtetin boshnajk.
“Ky vrull dhe entuziazëm për të bartur pronat që ishin në pronësi të AKP-së në pronësi të komunave, realisht është një qasje që nuk do të duhej të ndodhte. Unë kam kërkuar një sqarim institucional. Nëse ato vendime mbesin në fuqi, atëherë është fillim i zbatimit të Beogradit dhe Serbisë për ‘Republika Srspksan’ në Kosovë”, ka thënë Thaçi për Periskopin.
“…tash po iu dhurohet autoriteteve të Serbisë modeli i ‘Republika Srspskas’, apo ka filluar implementimi i ASK-së me elemente ekzekutive, Kjo paraqet rrezik për vendin, rrezik për sovranitetin dhe integritetin e vendit, dhe cenim për sovranitetin dhe pavarësi, më shumë se rrezik”, ka shtuar Thaçi në një intervistë për Periskopin.
Thaçi gjithashtu ka akuzuar Ramush Haradinajn se nuk po i jep mjete financiare Fatmir Limajt për krijimin e ekipeve negociuese për dialogun me Serbinë,
“Limaj ka pranuar me u sfidu me marrë përgjegjësi. Gjë që duhet vlerësuar. Tash Qeveria nuk duhet ta djeg atë dhe ekipin, duke bërë ndërskamca për mos me i nda mjete dhe mos me e leju me i themelu ekipet negociuese, sepse unë kam besim në potencialin e tij për të bërë punë të mira”, është shprehur i pari i vendit.
Këto akuza të ashpra të Thaçit drejt Haradinajt vijnë pas një kundërshtimi që Haradinaj ia ka bërë idesë për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve, që cilësohej si ndarje e Kosovës.
Kreu i AAK-së kishte deklaruar se një ide e tillë e Thaçit për prekje të kufijve nënkupton luftë dhe nuk duhet lejuar.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, e ka humbur shumicën pasi Lista Srpska i ka ofruar 10 votat për ta rrëzuar Haradinajn.
Pas kësaj, Presidenti Thaçi ka thënë se do të kërkojë shpjegime nëse do të mund të vazhdojë qeverisja e pakicës.