Janë bërë më shumë se një javë qëkur Qeveria ia procedoi Kuvendit Marrëveshjen e demarkacionit, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo çështje nuk ka qenë në rend dite as në takimin e radhës së Kryesisë së Kuvendit me nënkryetarët dhe shefat e grupeve parlamentare. Edhe pse shefi i deputetëve të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se janë në pritje të materialeve, administrata ua ka përcjellë ato qysh të premten.
“Nuk i kemi pranuar ende materialet në Kuvend, jemi në pritje. Kur të vijnë atëherë Kryesia në konsultime me kryetarët e grupeve parlamentare e caktojnë seancën”, ka thënë Krasniqi.
Në Qeverinë e Kosovës kanë deklaruar se ditën kur Qeveria e miratoi versionin zyrtar të Marrëveshjes, i shndërruar në projektligj për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, si dhe raporti i Komisionit shtetëror, i janë proceduar Kuvendit.
“Të dyja dokumentet ia kemi përcjellë të plota Kuvendit atë ditë që e ka miratuar Qeveria”, ka thënë sekretari i Qeverisë, Fitim Krasniqi.
Edhe sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka konfirmuar se marrëveshja gjendet në Kuvend, madje edhe në kutitë e deputetëve.
“Materiali është lëshuar në kutitë e deputetëve nga data 8 dhjetor 2017”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtuar se, sipas Rregullores së Kuvendit, çështja ndodhet në Komisionin për Politikë të Jashtme. Kryetare e këtij komisioni është Vjosa Osmani (LDK). Ajo ka thënë se gjatë javës së ardhshme do të vendosin për ditën e mbledhjes së komisionit.