Javier Tebas zbulon datën e rifillimit të kampionatit, thotë se ndeshjet do të luhen pa tifozë

Prishtinë | 11 Maj 2020 | 09:42 | Nga Ekonomia Online

Skuadrat e La Ligas kanë filluar stërvitjet në grupe të vogla, ndërsa janë bërë edhe 2500 teste për ekipet.

Këtë e ka konfirmuar presidenti i La Ligas, Javier Tebas që ka zbuluar se janë vetëm tetë të infektuar nga 2500 teste të bëra, gjashtë lojtarë dhe dy anëtarë të tjerë të klubeve.

“Ne kemi pritur 25 deri në 30 të infektuar, por fatmirësisht janë vetëm tetë. Futbollistëve të martën do t’iu bëjmë teste të tjera për të parë ecurinë e tyre”, ka deklaruar Tebas.

Numri një i La Ligas ka zbuluar edhe datën se kur pritet të fillojë kampionati.

“Nëse gjithçka shkon sipas planit, atëherë La Liga do të rifillojë më 12 qershor pasi kështu është planifikuar”.

“Momentalisht kjo është data që kemi caktuar, por ende nuk e dimi pasi virusi vazhdon të qarkullojë”, u shpreh Tebas që ka deklaruar se ndeshjen natyrisht se do të luhen pa praninë e tifozëve.

“Nuk do të luajmë me tifozë në stadiume, por natyrisht se do të mendojmë për ta që të argëtohen nga shtëpitë e tyre”, vazhdoi tutje numri një i La Ligas.

57-vjeçari ka deklaruar se ndeshjet janë vendi më i sigurt, pasi nuk përbëjnë rrezik për përhapjen e Covid-19.

“Ndeshjet janë vendi ku ka më së paku rrezik nga coronavirusi. Ajo që kërkojë nga futbollistët dhe klubet është që t’i respektojnë rregullat shëndetësore që të shkojmë në fillim të kampionatit në numër sa më të vogël të infektuarëve”.

“Lojtarët e infektuar deri më tani të stërvitën në shtëpi, ndërsa do të kenë kujdes strikt nga mjekët”, përfundoi Tebas.

Real Betis ka tre futbollistë të infektuar deri më tani, ndërsa Real Sociedad, Atletico Madrid dhe Granada kanë nga një tjetër futbollist të prekur nga Covid-19.

Të ngjashme