“Jelekëve të verdhë” në Francë iu janë bashkuar dhe femrat të cilat kërkojnë një Francë ndryshe për fëmijët e tyre. Ato shprehen se ndihen të diskriminuara dhe të zemëruara nga politikat e qeverisë.
Me qindra femra të veshur me jelekë të verdhë janë mbledhur për herë të parë në disa qytete franceze një ditë pas protestave të radhës, duke manifestuar zemërimin e tyre për politikat e qeverisë. Në Tuluz në juglindje të vendit, manifestueset kanë hedhur moto si: të diskriminuara, të zemëruara, femrat në front. Ato paralajmëruan Makron se Presidenca e tij ka përfunduar.
Në qytete të tjera, manifestueset u shprehën se po protestonin për Francën e fëmijëve të tyre, pasi nuk e pranonin që fëmijët të rriten në një botë të tillë. Janë rreth 50 mijë persona që u mblodhën në protestën e fundit në Francë me simbolin e jelekëve të verdhë, ku janë regjistruar dhe përplasje me policinë.
Aktorja e njohur franceze Brizhid Bardo u shpreh se e kuptonte zemërimin e tyre dhe i mbështet. Simpatizante e ekstremit të djathtë, ajo shtoi se kur sheh milionat e shpenzuara për asgjë, udhëtimet private të politikanëve, automjetet, shoferët personalë, mendon se është diçka e padurueshme. Këto para sipas saj duhet t’i jepen njerëzve që nuk kanë asgjë.