Jelena Gjukanoviq dënohet me gjashtë vjet burgim për spiunazh

Prishtinë | 27 Pri 2026 | 13:29 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatë Themelore të Prishtinës është shpallur aktgjykimi ndaj ish-punëtores së OSBE-së Jelena Gjukanoviq, e cila akuzohet për veprën penale të spiunazhit, raporton Ekonomia Online.

E, njëjta është dënuar me gjashtë vjet burgim.

Kryetari i Trupit gjykues Rrahman Beqiri, ka shpallur aktgjykmin në rastin  ndaj ish-punëtores së OSBE-së Jelena Gjukanoviq

“Të akuzës dhe avokateve mbrojtës në emër të popullit shpall e akuzuara shpallet fajtor për shkak të veprës penale spiunazhi, andaj gjykata bazuar në dispozitat e kosit penal, e gjykon dënim me burgim me kohëzgjatje prej 6 vjetëve”, tha ai.

“Sot në praninë e prokurorit special, të akuzuarës dhe avokatëve mbrojtës në seancë të hapur dhe publike në emër të popullit shpallë këtë aktgjykim: Jelena Gjukanoviq shpallet fajtor për shkak veprës penale spiunazhi, andaj gjykata bazuar në dispozitat e kodit penal dhe të kodit të procedurës penale e gjykon dënim me burgim kohëzgjatje prej 6 vjetëve, i cili do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë të këtij aktgjykimi. Në dënimin e shqyrtuar me burg i llogaritet edhe masa e paraburgimit 28 shkurt 2025 e tutje. I vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi. Lejohet ankesa prej 30 ditësh nga dita kur e pranojnë aktgjykimin me shkrim. Gjykata lidhur me këtë vendim do të nxjerrë aktgjykim me shkrim të detajuar, do paraqes arsyejet për secilin pikë të këtij aktgjykimi”, tha Beqiri.

Në fjalën përfundimtare, Prokuroria ka kërkuar dënim prej 25 vjetësh (dënim maksimal) në këtë rast që konsiderohet si një ndër më të rëndësishmit në fushën e sigurisë që është trajtuar në Kosovë.

Sipas prokurorisë, rasti lidhet me veprimtari që rrezikojnë rendin kushtetues dhe sigurinë shtetërore.

Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarës ka kundërshtuar vazhdimisht akuzat gjatë gjithë procesit gjyqësor, duke kërkuar lirimin e saj dhe duke mos pranuar pretendimet e prokurorisë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2025, Gjukanoviq dyshohet se nga një periudhë e pacaktuar kohore deri në arrestimin e saj më 28 shkurt 2025, në cilësinë e zyrtares së OSBE-së në Kosovë, në Qendrën Rajonale në Mitrovicë, ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri të Serbisë (BIA).

Ajo dyshohet se me vetëdije ka siguruar dhe përcjellë dokumente dhe informacione të ndjeshme të marra gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare, përmes komunikimeve të shumta me Aleksandër Vllajiq, i cili më parë është dënuar për spiunazh dhe është cilësuar si agjent rezident i BIA-s.

Prokuroria pretendon se informacionet e përcjella kanë përfshirë të dhëna për sigurinë dhe institucionet e Kosovës, të cilat më pas janë transmetuar tek struktura të BIA-s në Serbi.

Po ashtu, ajo akuzohet se ka ndikuar në raportet e OSBE-së dhe krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të Kosovës.

Të ngjashme